Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me rastin e vendosjes së dy flamujve në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan.
Sipas Policisë, rasti është raportuar mbrëmjen e 10 gushtit, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës.
“Stacioni Policor në Lipjan, më datën 10.08.2026, rreth orës 21:00, nga përgjegjësi/mbikëqyrësi i kishës ortodokse, është njoftuar se në rrethojën e kishës ortodokse në Lipjan janë vendosur dy flamuj, sipas tij, njëri me mbishkrimin UÇK dhe tjetri i Shqipërisë”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Pas pranimit të informacionit, njësitë relevante policore kanë ndërmarrë veprime për identifikimin e personave të dyshuar.
“Si rezultat i punës dhe angazhimeve policore, është identifikuar dhe shoqëruar për në Stacionin Policor në Lipjan personi (D. M.) nga Komuna e Lipjanit”, njofton Policia.
Sipas Policisë, personi i shoqëruar është trajtuar nga Njësia e Hetimeve dhe ka rezultuar se ishte nën ndikimin e alkoolit, me 0.61 promila.
Ndërkohë, hetimet kanë vazhduar edhe sot, më 11 gusht.
“Është shoqëruar në stacionin policor edhe personi (E. M.), po ashtu nga Komuna e Lipjanit, ndaj të cilit kanë vazhduar procedurat e mëtejme policore”, thuhet në komunikatë.
Policia ka bërë të ditur se lidhur me rastin janë njoftuar edhe prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm.
“Sipas procedurave të parapara ligjore, lidhur me rastin janë njoftuar prokurorët kujdestarë të Departamentit Special dhe të Përgjithshëm, me udhëzimin e të cilëve rasti është dërguar me Shënim Zyrtar”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Policia e Kosovës ka theksuar se ka dosje të veçanta për çdo objekt të trashëgimisë kulturore fetare, në kuadër të masave për parandalimin e incidenteve.
“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallim, si dhe ofrimin e sigurisë ndaj të gjitha objekteve të trashëgimisë kulturore fetare”, përfundon komunikata.