Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar për takimin që ka zhvilluar me senatorën amerikane Joni Ernst, të cilën e ka cilësuar si një nga “mikeshat e mëdha” dhe avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
Kurti ka thënë se gjatë takimit kanë diskutuar për zhvillimet ekonomike dhe situatën e sigurisë në Kosovë, ndërsa ka kërkuar që Kampi Bondsteel të shndërrohet në një prezencë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë.
“Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën tonë. Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se me senatoren Ernst ka diskutuar edhe për progresin ekonomik dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë.
“Pata kënaqësinë të pres në Zyrën e Kryeministrit senatoren Joni Ernst, një nga mikeshat e mëdha të Republikës dhe avokueset më të zëshme të Kosovës në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilën e falënderova për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit midis dy vendeve tona”, ka deklaruar Kurti.
Në takim është diskutuar edhe situata politike në vend dhe nevoja për arritjen e një marrëveshjeje për formimin e institucioneve.
“Biseduam edhe për situatën politike në vend dhe për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve me partitë politike parlamentare për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve”, ka shkruar Kurti.