Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar lidhur me situatën politike dhe moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Gashi ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pretendon se i ka 62 vota si për konstituimin e Kuvendit, ashtu edhe për formimin e Qeverisë, por ka ngritur pikëpyetje se pse atëherë procesi nuk po përmbyllet.

“Albin Kurti thotë se i ka 62 vota për konstituimin e Kuvendit. Po ashtu thotë se i ka 62 vota edhe për formimin e Qeverisë. Atëherë pyetja është e pashmangshme: Nëse i ke votat, pse nuk e konstituon Kuvendin?”, ka shkruar Gashi.

Reklamë

Sipas tij, nëse Vetëvendosje nuk i ka numrat e nevojshëm, LDK-ja është e gatshme t’ia japë votat për konstituimin e Kuvendit.

“I ke 62 vota? Konstituoje Kuvendin. Nëse nuk i ke, ne t’i japim votat tona. Kryetarin e Kuvendit propozoje kë të duash. I ke 62 vota? Formoje Qeverinë”, ka deklaruar ai.

Gashi ka akuzuar Vetëvendosjen se po përdor, siç e quan ai, formulën “blloko, fito kohë dhe shty institucionet”, duke ngritur dyshime se synimi mund të jetë shkuarja në zgjedhje të reja.

“Një muaj i fituar për shtetin është një muaj për funksionalizimin e institucioneve. Një muaj i fituar për një strategji zgjedhore është diçka krejt tjetër”, ka shkruar Gashi.

Ai ka pyetur nëse synimi është funksionalizimi i institucioneve apo krijimi i kushteve për zgjedhje të reja dhe një mandat më të madh për Kurtin.

Reklamë

“A po kërkohet funksionalizimi i Republikës, apo po prodhohen kushtet për zgjedhje të reja dhe për një mandat edhe më të madh?”, ka shkruar ai.

Gashi ka kritikuar edhe opozitën, duke thënë se LDK-ja duhet të jetë konstruktive, por “jo naive”, ndërsa ka komentuar edhe qasjen e PDK-së dhe AAK-së ndaj situatës politike.

Sipas tij, opozita nuk duhet ta kopjojë Kurtin, por të ndërtojë një alternativë më të fortë ndaj tij.

“Por opozita nuk duhet ta kopjojë Kurtin. Duhet të ndërtojë një alternativë më të fortë se Kurti. Sepse, në fund të fundit, Kurtin nuk e largon kaosi. E largon demokracia”, ka deklaruar Gashi.

Reklamë

Në fund, ai ka kërkuar që institucionet të funksionalizohen dhe ka paralajmëruar se, nëse vendi shkon sërish në zgjedhje, qytetarët duhet të japin përgjigjen e tyre përmes votës.

“Ne nuk kemi nevojë për një pushtet që kërkon të kontrollojë gjithçka. Kemi nevojë për institucione që janë më të forta se çdo individ”, ka shkruar Gashi.

“Më shumë Republikë. Më pak pushtet personal. Më shumë institucione. Më pak propagandë. Më shumë demokraci. Më shumë lidership. Sepse pushtetet ndryshojnë. Mandatet mbarojnë. Republika mbetet”, ka përfunduar ai.

Reklamë