Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja e Shqipërisë për negociatat me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, i është përgjigjur ministrit serb për Integrimin Evropian, Nemanja Staroviq, lidhur me debatin për idenë e devijimit të lumit Ibër.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Dhuka tha se rajoni duhet të shohë përpara, duke përdorur lumin si metaforë.

“Lumi rrjedh përpara. Po ashtu edhe historia”, shkroi Dhuka.

Reklamë

Ajo e kritikoi ministrin serb për mënyrën se si, sipas saj, po interpretohet Rezoluta 1244, duke e krahasuar argumentin e tij me një “kështjellë prej rëre”.

“Metaforë e këndshme, me një të metë të vogël strukturore: ajo mbështetet mbi një lexim aq selektiv të Rezolutës 1244, saqë bëhet dhe vetë porsi një kështjellë prej rëre”, deklaroi ajo.

Dhuka tha se Rezoluta 1244 nuk kishte rikthyer sovranitetin serb mbi Kosovën, por kishte vendosur administrimin ndërkombëtar dhe kishte krijuar një proces politik për përcaktimin e statusit të ardhshëm të saj.

“Rezoluta 1244 nuk rivendosi sovranitetin serb mbi Kosovën. Ajo vendosi administrimin ndërkombëtar, largoi Forcat e Sigurisë Serbe, krijoi një proces të veçantë politik për statusin e ardhshëm të Kosovës dhe, ç’është më thelbësore, nuk e paracaktoi rezultatin e atij procesi”, shkroi Dhuka.

Ajo iu referua edhe opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Gjykata kishte vlerësuar se deklarata e pavarësisë nuk e kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Reklamë

“E drejta ndërkombëtare nuk bëhet më e leverdishme duke u cituar me zgjedhje, dhe historia nuk kthehet pas thjesht sepse Beogradi vazhdon të presë që ajo ta bëjë këtë”, tha ajo.

Duke folur për integritetin territorial, Dhuka theksoi se kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë, ndërsa hodhi poshtë çdo pretendim territorial të Shqipërisë ndaj Serbisë.

“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim territorial ndaj Serbisë, dhe as ndonjë agjendë për ndonjë gjë ‘Më të Madhe’, përveç një Evrope të Madhe, me Shqipërinë, Kosovën dhe, po, edhe Serbinë, së bashku brenda saj”, shkroi ajo.

Në këtë kontekst, kryenegociatorja shqiptare tha se duhet t’u jepet fund narrativave për “Shqipërinë e Madhe” dhe “Serbinë e Madhe”.

Reklamë

“Le t’i lëmë fantazmat e ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe ‘Serbisë së Madhe’ e të shijojmë daljen e tyre të merituar në pension”, theksoi Dhuka.

Ajo tha se Kosova e shpalli pavarësinë pas luftës, spastrimit etnik, ndërhyrjes së NATO-s, viteve të administrimit nga OKB-ja dhe një procesi të ndërmjetësuar ndërkombëtarisht për statusin.

Dhuka përmendi edhe Marrëveshjen e Brukselit, duke thënë se Shqipëria vazhdon të besojë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet në kuadër të dialogut, njësoj si detyrimet e Serbisë.

“Dhe po, sigurisht që edhe Marrëveshja e Brukselit ka rëndësi. Ne nuk e vëmë atë në pikëpyetje. Ne vazhdojmë të besojmë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe duhet të trajtohet, ashtu siç duhet të trajtohen edhe detyrimet e vetë Serbisë, në kuadër të dialogut”, tha ajo.

Reklamë

Sa i përket çështjes së Ibrit, Dhuka tha se Shqipëria kundërshtoi idenë që uji të përdorej si instrument i presionit politik.

“U bë një kërcënim lidhur me rrjedhën e Ibrit. Shqipëria kundërshtoi vetë idenë se uji mund të shndërrohej në një instrument presioni politik”, shkroi ajo.

Në fund, Dhuka tha se lumi Ibër duhet të mbartë ujë dhe jo “pakënaqësi gjeopolitike”.

“Ibri duhet të mbartë ujin, jo pakënaqësi gjeopolitike. Dhe nëse vërtet duam ta ndërtojmë së bashku të ardhmen tonë evropiane, ekziston një themel ndërtimi dukshëm më i fortë se rëra: REALITETI”, përfundoi ajo.

Reklamë