Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka deklaruar pas zhvillimeve të sotme në Kuvend se kjo parti do të vazhdojë të kërkojë konstituimin e Kuvendit dhe se do të jetë e pranishme çdo ditë në institucion.

Çitaku tha se PDK-ja i është drejtuar zyrtarisht kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke kërkuar që më 12 gusht të thirret vazhdimi i seancës konstituive, por sipas saj, kjo kërkesë është refuzuar.

Ajo e akuzoi Deharin dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit.

Reklamë

“Zoti Dehari po refuzon të veprojë në përputhje me Kushtetutën, me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregulloren e Kuvendit. Dhe po i nënshtrohet vullnetit kolektiv të partisë së tij”, tha Çitaku.

Sipas saj, nuk bëhet fjalë për një incident procedural, por për një “model të sjelljes politike”.

“Kjo nuk është vetëm suspendim i Kuvendit, kjo është suspendim i demokracisë. Kuvendi është efektivisht i mbyllur dhe deputetëve po u pamundësohet ushtrimi i mandatit të tyre”, deklaroi ajo.

Çitaku tha se mandatet e deputetëve nuk janë dhënë nga Albin Kurti apo Vetëvendosje, por nga qytetarët përmes zgjedhjeve të 7 qershorit.

“Mandatet na i ka dhënë qytetari i Republikës së Kosovës. Përmes bllokimit të konstituimit të Kuvendit, Albin Kurti praktikisht po na e pamundëson ushtrimin e mandatit që na e kanë dhënë qytetarët”, tha ajo.

Reklamë

Deputetja e PDK-së kërkoi nga Kurti dhe Vetëvendosje që të reflektojnë dhe të mundësojnë konstituimin e Kuvendit.

“Ne nuk po kërkojmë pushtet, nuk po kërkojmë marrëveshje për PDK-në. Po kërkojmë funksionalizimin e shtetit”, u shpreh Çitaku.

Ajo njoftoi se PDK-ja do të bëjë sërish kërkesë për thirrjen e seancës pas 48 orësh.

“Do të bëjmë kërkesë për seancë pas 48 orësh. Aktiviteti ynë nuk do të kufizohet më vetëm brenda këtij institucioni. Ai do të zhvendoset edhe jashtë Kuvendit, në forma më të gjera të mobilizimit politik, demokratik dhe qytetar”, tha Çitaku.

Reklamë

Sipas saj, PDK-ja do të zhvillojë takime edhe me qytetarë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme të shoqërisë.

“Do të ketë bashkëbisedime me qytetarë, me përfaqësues të shtresave të ndryshme të shoqërisë, me studentë, me mjekë, me fermerë, me biznesmenë, me ndërmarrës. Sepse ky kaos politik dhe kjo anarki kushtetuese e prek secilin”, deklaroi ajo.

Çitaku u ndal edhe te përplasjet e sotme në Kuvend, duke akuzuar pjesëtarë të sigurimit për cenim të integritetit fizik të disa deputetëve të PDK-së.

“Do të ndërmarrim masa në Inspektoratin Policor të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Reklamë

Në fund, Çitaku ftoi Vetëvendosjen që të kthehet në Kuvend për të vazhduar procesin e konstituimit.

“Ejani në Kuvend. Ejani takohemi në sallën e Kuvendit të Kosovës. Ejani i konstituojmë institucionet. Ne do të jemi çdo ditë këtu”, përfundoi ajo.