Është hapur votimi online për edicionin e “Miss World 2026”, ku Kosovën e përfaqëson Blair Isufi.
Në platformën zyrtare të votimit, Isufi figuron si përfaqësuese e Kosovës në garën ndërkombëtare të bukurisë.
Aktualisht, ajo renditet në vendin e gjashtë në listën e votimit, ndërsa faqja tregon se deri tani ka marrë 3,895 vota.
Përkrahësit e saj mund ta votojnë përmes platformës online të “Miss World”, duke kontribuar në rrugëtimin e saj drejt garës për kurorën.
Blair Isufi është modelja që po përfaqëson Kosovën në edicionin e sivjetmë të “Miss World 2026”, ku tashmë është hapur edhe votimi online për përfaqësueset e shteteve pjesëmarrëse.
Isufi është rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa karrierën në modeling dhe konkurset e bukurisë e ka nisur që në moshë të re.
Ajo është rritur në West Hartford, Connecticut, ndërsa sipas mediave amerikane, familja e saj u zhvendos në SHBA nga Shqipëria kur Blair ishte vetëm dy vjeçe.
Blair ka përfunduar Conard High School në vitin 2016, ndërsa më pas ka diplomuar në Central Connecticut State University.
Krahas modelingut, ajo është marrë edhe me marketing dhe menaxhim të rrjeteve sociale. Në karrierën e saj si modele është përfaqësuar nga agjencia Wilhelmina, me zyra në New York dhe Los Angeles.
Gjatë karrierës, Isufi ka punuar me marka të njohura të modës, ndërsa ka marrë pjesë edhe në konkurse të bukurisë që në adoleshencë.
Ajo ka treguar se garën e parë të bukurisë e ka zhvilluar në moshën 14-vjeçare, duke marrë pjesë në National American Miss Connecticut. Sipas saj, kjo përvojë e ndihmoi të kapërcejë turpin dhe të fitojë më shumë vetëbesim.
Në qershor të këtij viti, Blair Isufi u kurorëzua “Miss Tourism Albania 2026”, ndërsa tashmë po garon në skenën ndërkombëtare të “Miss World” si përfaqësuese e Kosovës.
Në profilin zyrtar të “Miss World”, Isufi prezantohet si përfaqësuese e Kosovës për vitin 2026. Ajo është 1.74 metra e gjatë dhe flet shqip, anglisht dhe frëngjisht.
“Miss World 2026” po zhvillon aktivitetet e edicionit të sivjetmë në Vietnam, ndërsa finalja është planifikuar për më 5 shtator.

