Sandra Bullock ka folur për humbjen e partnerit të saj, fotografit Bryan Randall.
Aktorja fituese e Oscar-it dhe Randall nisën lidhjen në vitin 2015 dhe qëndruan bashkë deri në vdekjen e tij në vitin 2023. Tre vite më parë, Randall ishte diagnostikuar me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje që prek neuronet motorike.
Gjatë një episodi të podcastit “SmartLess”, Sandra tregoi se partneri i saj i kishte kërkuar të mos e bënte publike diagnozën.
“Nuk më lejohej të flisja për të. Kjo ishte kërkesa e tij dhe unë u përpoqa ta respektoja,” thotë ajo.
Bullock tregon se e kupton arsyen përse Bryan nuk donte që gjendja e tij të bëhej publike, por pranoi se mbajtja e një barre kaq të madhe, pa mundur të fliste me askënd jashtë familjes e izoloi gjatë gjithë këtij procesi.
Ylli i Miss Congeniality tha gjithashtu se kishte nisur të përjetonte dhimbjen e humbjes së Bryan katër vite para se ai të ndërronte jetë.
“Njeriu im u largua shumë më herët se trupi i tij,” tha ajo, duke shtuar se nuk mendon se e kishte përpunuar plotësisht atë që po ndodhte deri pas vdekjes së tij.
Sandra tregoi se përvoja e saj e mëparshme me kujdesin ndaj prindërve e kishte bërë më pak të frikësuar përballë sëmundjes. Për të, pjesa më e vështirë ishte të shihte fëmijët e saj dhe vajzën e Bryan duke kaluar nëpër këtë periudhë.
“Mund të përballoj dhe të jem pranë pothuajse çdo gjëje. Por kisha dy fëmijë të vegjël që po përpiqeshin ta përballonin këtë situatë”.
Aktorja shtoi se situata u bë edhe më e vështirë kur sëmundja fizike u shoqërua me probleme të shëndetit mendor.
“Ishte një kombinim që e bëri gjithçka shumë të errët,” tha Bullock, duke theksuar se kjo është një anë për të cilën njerëzit flasin shumë pak.
Pas vdekjes së Bryan, familja e tij publikoi një deklaratë ku shpjegonte se ai kishte zgjedhur që në fillim ta mbante private betejën me ALS dhe se njerëzit pranë tij kishin bërë gjithçka për ta respektuar dëshirën e tij.
Familja shprehu gjithashtu mirënjohjen për mjekët dhe infermierët që i qëndruan pranë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Në vitin 2021, ndërsa Bryan po përballej me sëmundjen, Sandra e kishte përshkruar atë si “dashurinë e jetës së saj”.
Duke folur në Red Table Talk për faktin se të dy nuk ishin martuar, ajo kishte thënë se nuk i duhej një martesë zyrtare për të qenë një partnere dhe nënë e përkushtuar.
Intervista e plotë e Sandra Bullock për “SmartLess” do të publikohet më 24 gusht.