Në një objekt të zakonshëm industrial në qytetin Holbrook të Australisë, shtatë trupa njerëzish ruhen me kokë poshtë në rezervuarë me azot të lëngshëm, në temperaturën –196 gradë Celsius. Ata kanë paguar më shumë se 200 mijë dollarë për t’u ngrirë pas vdekjes, me shpresën se teknologjia e së ardhmes do të mund t’i rikthejë në jetë.

Objekti menaxhohet nga kompania “Southern Cryonics” dhe, sipas drejtuesve të saj, është qendra e vetme e krionikës në hemisferën jugore. Ajo ka nisur punën në vitin 2023 dhe aktualisht mban shtatë persona, të cilët kompania i quan “pacientë”.

Trupat janë vendosur në dy rezervuarë të mëdhenj prej çeliku, të njohur si “dewar”, ku ruhen në azot të lëngshëm. Secili rezervuar mund të mbajë deri në katër trupa, shkruan The Guardian.

Reklamë

Shpresë për një jetë të dytë

Kryetari i “Southern Cryonics”, Peter Tsolakides, thotë se kompania nuk u premton klientëve se një ditë do të rikthehen në jetë. Ajo që u ofrohet, sipas tij, është një mundësi për zgjatjen e jetës.

Tsolakides vlerëson se probabiliteti që njerëzit e ngrirë të mund të ringjallen pas rreth 250 vjetësh është afërsisht 10 për qind.

“Duhet ta kemi mposhtur vdekjen, t’i kemi shëruar të gjitha sëmundjet dhe pastaj të jemi në gjendje t’i rikthejmë njerëzit nga vdekja”, ka thënë ai.

Megjithëse mundësia është shumë e vogël, për përkrahësit e krionikës ajo mbetet më e madhe se zero.

Reklamë

“Southern Cryonics” është njëra nga gjashtë qendrat e këtij lloji në botë, sipas drejtuesve të kompanisë. Dy të tjera ndodhen në Shtetet e Bashkuara, ndërsa nga një qendër gjendet në Zvicër, Kinë dhe Rusi. Vlerësohet se në mbarë botën ruhen të ngrirë rreth një mijë njerëz.

Holbrook është zgjedhur për shkak të pozitës ndërmjet Sydneyt dhe Melbourneit, si dhe për shkak se konsiderohet zonë me rrezik të ulët nga tërmetet dhe përmbytjet.

Çfarë ndodh me trupin pas vdekjes?

Pas vdekjes, trupi duhet të ftohet sa më shpejt. Rreth kokës vendosen pako me akull, ndërsa më pas në trup futen substanca kimike të ngjashme me antifrizin.

Reklamë

Ky proces, i quajtur vitrifikim, zgjat rreth tetë orë dhe synon ta vendosë trupin në një gjendje të ngjashme me qelqin, duke zvogëluar dëmtimin e qelizave gjatë ngrirjes.

Pas stabilizimit, që zakonisht kryhet në një shtëpi funerale, trupi transportohet në Holbrook dhe vendoset me kokë poshtë në rezervuar. Megjithatë, jo të gjithë personat e ruajtur në këtë qendër i janë nënshtruar vitrifikimit. Disa janë ngrirë drejtpërdrejt.

Kontrata e kompanisë paralajmëron se çdo metodë aktuale e ngrirjes krionike ka gjasa të shkaktojë dëmtime fizike, të cilat mund të jenë të pakthyeshme. Nëse ringjallja bëhet ndonjëherë e mundur, për të do të kërkohet edhe një pagesë tjetër, shuma e së cilës ende nuk është përcaktuar.

Kontrata parashikon gjithashtu se, nëse kompania falimenton, trupat mund të asgjësohen.

Reklamë

Sa kushton procedura?

Procesi fillestar i stabilizimit kushton rreth 60 mijë dollarë. Për ruajtjen për një kohë të pacaktuar, “Southern Cryonics” kërkon edhe 150 mijë dollarë, ndërsa klientët paguajnë 350 dollarë në vit si tarifë anëtarësimi.

Kompania kërkon që pagesa të bëhet paraprakisht dhe rekomandon sigurim jete në vlerë prej 210 mijë dollarësh.

Sipas Tsolakides, mbajtja e një trupi të ngrirë kushton rreth 5.500 dollarë në vit. Pjesa më e madhe e shpenzimeve lidhet me furnizimin me azot të lëngshëm dhe pagesën e stafit.

Reklamë

Rezervuarët nuk mund të mbyllen plotësisht, pasi grumbullimi i presionit do të mund të shkaktonte shpërthim. Për këtë arsye, azoti avullon gradualisht dhe duhet të plotësohet rregullisht. Furnizimi, i cili fillimisht bëhej një herë në muaj, tani kryhet çdo dy javë.

Tsolakides planifikon që 100 mijë dollarë nga pagesa e secilit klient t’i investojë në fonde të kompanive të mëdha. Ai beson se, gjatë 250 vjetëve, këto investime mund të krijojnë një fond me vlerë miliarda dollarësh.

Shkencëtarët: Ringjallja mbetet vetëm një ëndërr

Ekspertja e kriopreservimit në Universitetin RMIT të Melbourneit, profesoresha e asociuar Saffron Bryant, thotë se shkenca e sotme nuk e mbështet mundësinë e ruajtjes së një trupi të plotë.

Qelizat, embrionet dhe produktet e gjakut mund të ruhen me sukses përmes vitrifikimit, por aktualisht nuk është e mundur që substancat mbrojtëse të shpërndahen në të gjithë trupin, madje as në një organ të vetëm.

Problem tjetër është se pjesët e jashtme të trupit ftohen më shpejt se organet e brendshme, duke shkaktuar dëmtime. Bryant e krahason këtë me një dredhëz të shkrirë, e cila bëhet e butë dhe nuk mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme.

Edhe sikur ruajtja e plotë e trupit të bëhej e mundur, sipas saj, do të mbetej sëmundja që e kishte shkaktuar vdekjen, qoftë sulmi në zemër, Alzheimeri apo një gjendje tjetër.

Mundësinë e rikthimit të vetëdijes së një personi, Bryant e konsideron më shumë çështje të misticizmit sesa të shkencës.

Edhe ekspertja e së drejtës së vdekjes, Kate Falconer, thotë se krionika mbetet një ëndërr pa prova konkrete. Megjithatë, ajo pranon se për disa njerëz me sëmundje terminale kjo mund të përfaqësojë shpresën e vetme për një jetë më të gjatë.

Personi i fundit është vendosur në qendrën e Holbrookut në qershor, pasi kishte vdekur në të nëntëdhjetat. “Pacientja” më e re është një grua që vdiq në të dyzetat.

Menaxheri i objektit, Philip Rhoades, beson se rikthimi në jetë mund të bëhet i mundur deri në vitin 2080. Ai mendon se një person i ruajtur mirë mund të ketë më shumë se 50 për qind mundësi për t’u rikthyer, por pranon se nuk ekziston asnjë garanci.

“Nëse zgjohesh në të ardhmen, atëherë ke fituar çmimin e madh”, ka thënë ai.