×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëm fizikisht qëndrojmë me të tjerët, jemi bërë autistë digjitalë

    Reporteri
    30 Mars 2019 | 14:11

    Ka kohë që shtypi i shkruar ka rënë në gjumë të thellë, sidomos me paraqitjen e  medieve online, të cilat i dhanë goditjen e fundit.

    Para kioskave të qytetit i shohim çdo ditë të vendosura gazetat, por rrallë ndodhë që të shohim ndonjë blerës të tyre. Në kafenetë e stërmbushura aq më të rralla janë rastet kur sheh ndonjë qytetar duke lexuar gazeta. Por, një gjë e tillë i ka rastisur sot politologut kosovar Blerim Latifi i cili e përshkruan këtë lexues si “të vetmuar brenda komunitetit që ishte aty, sepse gjithë të tjerët ishin të humbur në botën virtuale të smartphonëve”.

    Latifi përmes një postimi në llogarinë e tij  në Facebook  e ka cilësuar shoqërinë e sotme si shoqëri e diagnostikuar me autizmin digjital. Ai ndër të tjera ka thënë se joshja e pa rezistueshme e smartphonëve na ka bërë të gjithëve autistë digjitalë.

    Postimi i plotë:

    AUTIZMI DIGJITAL

    Në fillim të shekullit XIX, Hegeli shkruante se në shoqërinë moderne lutjet e mëngjesit janë zëvëndësuar nga leximi i gazetave. Në ditët tona edhe ky ritual social është në zhdukje e sipër. Përherë e më pak shohim lexues gazetash nëpër kafene. Sot e pashë një të tillë, në kafenenë ku rëndom e filloj ditën. Ishte i vetmuar brenda komunitetit që ishte aty, sepse gjithë të tjerët ishin të humbur në botën virtuale të smartphonëve. Dukej si mohikani i fundit i një bote që po perëndon. Joshja e parezistueshme e smartphonëve na ka bërë të gjithëve autistë digjitalë : vetëm fizikisht qëndrojmë me të tjerët, mendjen dhe përqendrimin gjithë kohën e mbajmë diku tjetër. Profecia e mendimtarit francez Zhan Bodriar se me të shpejtë jemi duke lëvizur drejt një epoke në të cilën virtualiteti do të jetë më real se vetë realiteti, tanimë duket të jetë përmbushur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!