Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka lënë të hapur mundësinë që partia e tij të ndryshojë qëndrimin lidhur me zgjedhjen e Presidentit të vendit, pas zhvillimeve të 16 shtatorit.
Pas mbledhjes së Këshillit Drejtues të PDK-së, Hamza deklaroi se vendi ndodhet në rrethana të reja politike, të cilat mund të ndikojnë edhe në qëndrimet e partisë për çështje të rëndësishme shtetërore.
“Jemi në rrethana të reja, jemi në gjendje të re, në gjendje që nuk ka të bëjë veç me të kaluarën, nuk ka të bëjë me individë. Ka të bëjë me shtetin, dhe ka të bëjë me të ardhmen e shtetit”, deklaroi Hamza, duke shtuar se PDK-ja do t’i përshtatë qëndrimet në përputhje me këto rrethana.
I pyetur nëse PDK-ja do ta mbështeste një kandidat për President të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Hamza nuk dha përgjigje përfundimtare, duke thënë se nuk mund të diskutohet për një mundësi të tillë pa pasur një propozim konkret.
Ai konfirmoi se tashmë ka zhvilluar takime me kryetarët e partive të tjera politike, përfshirë Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin, ndërsa u shpreh i gatshëm për takime të tjera.
Sipas tij, në situatën aktuale politike, komunikimi ndërmjet liderëve partiakë është i nevojshëm për trajtimin e çështjeve me rëndësi për vendin.
Hamza foli edhe për nismën e PDK-së për ndryshimin e kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara, duke thënë se projektligji i propozuar është hartuar pas konsultimeve me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.
Ai tha se PDK-ja synon t’i japë mundësi gjykatës që përmes procesit të apelit të marrë një vendim të drejtë.
Kreu i PDK-së bëri të ditur se Këshilli Drejtues ka miratuar unanimisht një deklaratë që kërkon shqyrtimin institucional të kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara dhe mbështetje të plotë juridike e institucionale për procesin e apelit.
Hamza kërkoi gjithashtu buxhet të mjaftueshëm për mbrojtjen juridike dhe ndryshimin e udhëzimit administrativ përkatës, me qëllim sigurimin e kushteve të barabarta për mbrojtjen.
Ai ritheksoi mbështetjen për protestat dhe organizimet qytetare kundër vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.