Mesfushori i Southamptonit, Finn Azaz, mund t’i japë fund karrierës me Kombëtaren e Irlandës pas protestës së bashkëlojtarëve të tij kundër Izraelit, para ndeshjes së Ligës së Kombeve të zhvilluar të dielën në Hungari.

Federata e Futbollit e Irlandës (FAI) beson se Azaz mund të tërhiqet nga kombëtarja pas tensioneve të krijuara rreth përballjes me Izraelin, për shkak të luftës në Gaza.

Futbollistët irlandezë vendosën të mos i përshëndesnin me shtrëngim duarsh kundërshtarët izraelitë dhe të mos shkëmbenin flamujt tradicionalë mes kapitenëve. Ata gjithashtu ulën kokat gjatë intonimit të himnit kombëtar të Izraelit dhe mbajtën shirita të zinj në krahë, në shenjë solidariteti me viktimat e konfliktit.

Reklamë

Megjithatë, kjo protestë ka krijuar një situatë të ndërlikuar për Azazin, i cili ka prejardhje izraelite nga nëna. Futbollisti ka treguar më herët se gjyshja e tij kishte shërbyer si gjenerale në ushtrinë izraelite.

Sipas gazetarit David Sneyd të mediumit irlandez The42, drejtuesit e federatës besojnë se mesfushori 26-vjeçar mund të vendosë të mos luajë më për Irlandën. Ai kishte mbajtur një fjalim emocional para bashkëlojtarëve përpara ndeshjes me Izraelin.

Azaz, i cili e zgjodhi Irlandën për shkak të babait të tij të lindur në Cork, ishte në bankën rezervë gjatë ndeshjes. Për këtë arsye, nuk është e qartë nëse ai mori pjesë në protestën gjatë himnit izraelit.

Ndërkohë, portieri Gavin Bazunu kishte refuzuar të luante kundër Izraelit. Ai e arsyetoi vendimin me bindjen e tij personale se vrasja e njerëzve të pafajshëm është e gabuar.

Pavarësisht thirrjeve për bojkot të plotë, shumica e futbollistëve irlandezë votuan që ndeshja të zhvillohej. Federata irlandeze kishte paralajmëruar se refuzimi për të luajtur mund të sillte pasoja të rënda sportive dhe financiare.

Reklamë

Irlanda dhe Izraeli do të përballen sërish më 4 tetor në Serbi, ku është zhvendosur ndeshja që duhej të zhvillohej në Dublin.

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Finn Azaz do të jetë pjesë e kombëtares për këtë takim apo nëse do të vendosë t’i japë fund karrierës ndërkombëtare.