Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka deklaruar se deklarata e Kuvendit të Kosovës lidhur me vendimin e Gjykatës Speciale nuk është e mjaftueshme dhe se duhet të nisë sa më shpejt procedura për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Tahiri ka kërkuar që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete dhe ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk duhet ta zvarrisë këtë proces.

“Kjo nuk mjafton. Prandaj Kuvendi i Kosovës duhet ta nis procedurën për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara. Qeveri s’guxon ta zvarris këtë proces. Duhet ofruar përkrahje institucionale. Është koha për veprime konkrete institucionale. Ne si deputet po e përcjellim kërkesën e qytetarëve. Qytetarët me plotë të drejtë, secilën mbrëmje, secilën ditë, po protestojnë e shprehur revoltën ndaj vendimit të 16 shtatorit, për padrejtësinë historike”, ka thënë Tahiri, raporton Express.

Reklamë

“Si GP dhe PDK do të bëjmë më të mirën për të kontribuar në këtë proces. U bëj apel të gjitha partive politike, për unitet e kontribut konkret”, ka shtuar ai.

Tahiri ka thënë se projektligji tashmë ndodhet në Qeveri dhe se Kuvendi e ka përfunduar pjesën e tij të punës.

“Ligji tashmë është në Qeveri. Kuvendi e ka kryer punën e vetë. I bëjmë thirrje që ta kthej sa më shpejt në Kuvend”, ka thënë Tahiri.