16-vjeçari shqiptar, Asllan Gjana, ka vdekur në Greqi pasi pësoi një lëndim të rëndë në kokë gjatë një ndeshjeje futbolli.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në një stadium në zonën e Kavalës, duke tronditur familjen e të riut, komunitetin sportiv dhe atë shqiptar në Greqi.
Gjana ishte duke luajtur në një ndeshje të kategorisë së dytë të Shoqatës së Futbollit të Kavalës, kur në minutën e dytë të takimit pësoi aksidentin.
Gjatë një dyluftimi për topin, 16-vjeçari doli jashtë fushës dhe goditi pjesën e pasme të kokës në gardhin rrethues të stadiumit.
Atij iu dha menjëherë ndihma e parë nga mjeku që ndodhej në stadium, ndërsa për shkak të gjendjes së rëndë u transportua me urgjencë në Spitalin e Kavalës.
16-vjeçari u shtrua në repartin e kujdesit intensiv, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Lajmi për vdekjen e tij ka shkaktuar dhimbje të madhe edhe në klubin ku luante.
Klubi ka shprehur ngushëllimet për humbjen e futbollistit të ri, duke theksuar se kujtimi i Asllan Gjanës do të mbetet përgjithmonë mes tyre.