Largimi i papritur i Cristiano Ronaldos nga grumbullimi i Portugalisë të mërkurën vazhdon të jetë kryetemë në mediat portugeze.
Tensioni mbizotëron në kampin e Portugalisë pas largimit të tij, dhe e gjithë kjo ndodh teksa Portugalia do të luajë ndeshjen e tretë në Ligën e Kombeve kundër Danimarkës këtë mbrëmje, të enjten.
Kriza nisi kur Ronaldo qëndroi në bankën e rezervistëve gjatë gjithë ndeshjes së fundit të Portugalisë ndaj Norvegjisë në Ligën e Kombeve.
Fitorja 2-1 nuk mjaftoi për ta qetësuar kapitenin e Al-Nassrit, i cili ishte shumë i pakënaqur.
Më pas, Ronaldo refuzoi të stërvitej pas ndeshjes ndaj Norvegjisë. Ai zhvilloi një takim me Jesusin dhe dukej se të dy i kishin rregulluar gjërat mes tyre.
Por më pas trajneri doli në konferencën për shtyp para ndeshjes me Danimarkën dhe këmbënguli se asnjë lojtar nuk do t’ia ndryshonte idetë, ashtu siç nuk do t’ia ndryshonte askush tjetër në futboll.
Kaq mjaftoi që “Doni” të largohej, të braktiste grumbullimin dhe të nisej drejt Madridit.
Gazeta portugeze “Record” raportoi të enjten pasdite se çështja kishte arritur deri në nivelet më të larta të politikës së vendit.
Sipas raportimit, kryeministri portugez Luís Montenegro kontaktoi presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, Pedro Proença, për të organizuar një takim me Jorge Jesusin pas largimit të Ronaldos.
Montenegro dëshiron të bisedojë me Jesusin, duke marrë parasysh marrëdhënien e mirë që ai ka me trajnerin e Portugalisë, shtoi gazeta.
Rrjeti “SIC” shkoi edhe më tej, duke raportuar se kryeministri ka biseduar edhe drejtpërdrejt me Ronaldon.