Sot, në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 18:00, Kosova zhvillon një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj fushate në Ligën e Kombeve, duke pritur Austrinë në Prishtinë.
Pas fitores ndaj Irlandës, humbjes në Vjenë dhe barazimit pa gola me Izraelin, “Dardanët” kanë katër pikë dhe kërkojnë një rezultat pozitiv për të mbetur në garën për kreun e grupit.
Austria vjen si lidere e Grupit B3 me shtatë pikë, por pas barazimit 2-2 ndaj Irlandës, ndërsa një humje në Prishtinë do ta happte grupin për pozitat në krye.
Për Kosovën, kjo është mundësia për të korrigjuar humbjen 3-1 në Vjenë dhe për të bërë një hap të madh drejt objektivit të saj në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Telegrafi iu mban të informuar për çdo gjë rreth kësaj ndeshje.

Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi, ka konfirmuar se do të jetë i gatshëm për ndeshjen e nesërme (e diel) ndaj Austrisë, duke sqaruar edhe shqetësimin fizik që pati pas ndeshjes së kaluar.
Vedat Muriqi ka folur para mediave në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme të Kosovës ndaj Austrisë në stadiumin Fadil Vokrri nga ora 18:00.
Sulmuesi kosovar ka bërë të ditur se ka pasur një shqetësim fizik pas ndeshjes së fundit, por ka theksuar se nuk bëhet fjalë për diçka që do ta pengojë të luajë në sfidën e radhës.
Muriqi shpjegoi se shqetësimi lidhet me një lëndim që kishte pësuar rreth një muaj më parë te klubi i tij dhe me ngarkesat që mund të shfaqen gjatë rikuperimit dhe përshtatjes së muskulit.
“Pata një shqetësim pas ndeshjes me Austrinë, pasi para një 1 muaji u pata lënduar me klub edhe derisa adaptohet muskuli ka me pas ngarkesa pas ndërrimit të fushës. Sot do bëj stërvitje dhe nesër do të jem gati”, ka thënë Muriqi në konferencë.
Kështu, Muriqi pritet të jetë në dispozicion të përzgjedhësit të Kosovës për përballjen e nesërme ndaj Austrisë, me sulmuesin që ka konfirmuar gatishmërinë e tij për këtë takim. /Telegrafi/

Përzgjedhësi i Austrisë, Ralf Rangnick, ka thënë se skuadra e tij udhëton në Prishtinë me synimin për të marrë tri pikët ndaj Kosovës në ndeshjen e katërt të grupit në Ligën e Kombeve.
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Kosovës, përzgjedhësi i Austrisë ka folur për pritshmëritë e skuadrës së tij dhe mënyrën se si e sheh përballjen në Prishtinë të dielën nga ora 18:00 në stadiumin Fadil Vokrri.
Rangnick ka theksuar se Austria duhet të jetë e durueshme gjatë ndeshjes dhe se ekipi i tij nuk dëshiron të largohet pa pikë nga Prishtina.
“Duhet të jemi të durueshëm dhe deri në fund të jetë baras. Durimi duhet të jetë maksimal. Duhet ta shohim edhe një herë ndeshjen e parë dhe pastaj të shohim”, ka thënë fillimisht Rangnick.
Trajneri austriak ka bërë të qartë se objektivi i skuadrës së tij është fitorja, duke e krahasuar këtë ndeshje me atë ndaj Irlandës.
“Natyrisht, nuk duam të humbim në Prishtinë. Por ne duam t’i marrim tri pikët, ashtu siç donim në Irlandë. Në pjesën e dytë luajtëm me të gjitha forcat dhe morëm një pikë”, përfundoi përzgjedhësi i Austrisë.
Rangnick ka konfirmuar gjithashtu se në dispozicion ka pothuajse të gjithë futbollistët për këtë përballje. Përjashtim bën Carney Chukwuemeka, i cili mbetet në dyshim për ndeshjen ndaj Kosovës.
Përballja në Prishtinë pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për të dyja skuadrat, me Austrinë që kërkon pikët e plota dhe Kosovën që synon të shfrytëzojë faktorin fushë për t’u rikthyer te tri pikët. /Telegrafi/