Legjenda e Barcelonës, Andrés Iniesta, e ka lavdëruar Lamine Yamalin dhe ka theksuar se ajo që sulmuesi spanjoll e ka arritur në një moshë kaq të re është diçka jashtë normales.
“Nuk është normale, sepse nëse do të ishte, do të kishte shumë lojtarë të tjerë që mund ta bënin. E bukura dhe e rëndësishmja është ambicia dhe talenti i tij natyral. Kur ndalesh dhe mendon se çfarë e pret në këtë moshë, është e mrekullueshme”, tha Iniesta në një intervistë për “Mundo Deportivo”, përcjell “Gazeta Express”.
Ish-mesfushori i Barcelonës theksoi se sfida më e madhe për Yamalin dhe klubin katalanas është të vazhdojnë të jenë në nivele të larta sezon pas sezoni.
“Sfida e vërtetë për futbollistët dhe për ekipe si Barça është të përsëriten vit pas viti. Nuk ka rëndësi vetëm ajo që e ke fituar, por ajo që duhet të vazhdosh ta fitosh çdo sezon. Kjo është çelësi”, u shpreh tutje Iniesta.