Kombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e lojës sot në mbrëmje kundër San Marinos për ndeshjen e katërt të vlefshme për Ligën e Kombeve.

Kuqezinjtë do të kërkojnë rikthimin te fitorja pas humbjes me Finlandën në mënyrë që të mbajnë gjallë shpresat për vendin e parë në grupin C1.

Trajneri Rolando Maran pritet që t’i japë vazhdimësi formacionit të Helsinkit, ku do të bëjë vetëm pak ndryshime të detyruara.

Reklamë

Në portë do të luajë Dajsinani për shkak se Berisha është i pezulluar me karton dhe Sherri i dëmtuar. Në listë është përfshirë edhe portieri i të rinjve të Interit Alain Taho.

Ismajli është në dyshim pasi nuk mori pjesë në stërvitjen e fundit dhe në vendin e tij mund të aktivizohet Kumbulla, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës do të jetë e njëjta si në ndeshjen e fundit.

Kuqezinjtë do të kërkojnë të ruajnë bilancin pozitiv ndaj San Marinos, ku deri më tani kanë arritur 5 fitore në 5 ndeshjet e luajtura me 15 gola të shënuar dhe 0 të pësuar.

Vendi i parë në grupin C është i rëndësishëm pasi do ta ngjiste ekipin kuqezi në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve të Europianit dhe do ta kualifikonte në “Play Off”-in e Ligës së Kombeve të vlefshëm pikërisht për Euro 2028.

Fituesit e Ligës C do të zhvillojnë ndeshje me njëri-tjetrin, gjysmëfinale dhe finale për të përcaktuar 1 ekip që merr direkt biletën për kompeticionin e rëndësishëm europian. Ndeshja kundër San Marinos do të transmetohet në TV Klan.

Reklamë