Granit Xhaka ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë në Zvicër lidhur me çështjen për të cilën ishte marrë në pyetje, duke konfirmuar se është dënuar me urdhër penal.
Sipas deklaratës së publikuar nga vetë futbollisti, Xhaka është shpallur përgjegjës për veprën penale të përfitimit të një vërtetimi të rremë.
Dënimi është caktuar në 50 ditë-gjobë, me nga 3 mijë franga zvicerane për ditë, që në total arrin në 150 mijë franga.
Megjithatë, dënimi është shqiptuar me kusht dhe me periudhë prove prej dy vitesh. Kjo nënkupton se gjoba nuk ekzekutohet, për sa kohë që gjatë kësaj periudhe Xhaka nuk kryen një vepër tjetër penale.
Kapiteni i Kombëtares së Zvicrës ka bërë të ditur se ka dhënë dëshminë e tij të plotë para Prokurorisë dhe se tashmë është marrë vendimi përfundimtar. Ai ka konfirmuar gjithashtu se shpenzimet e procedurës janë paguar.
“E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë. Qëndroj pas asaj që kam thënë disa javë më parë”, ka deklaruar Xhaka.
Në fund, mesfushori shqiptar ka falënderuar të gjithë ata që e kanë mbështetur gjatë javëve të fundit.
“Faleminderit për mesazhet e shumta mbështetëse që kam marrë gjatë javëve të fundit. Për mua kanë shumë rëndësi”, ka thënë Xhaka.
