Shtetasi i Kosovës, i dënuar për vrasjen e rojës së një diskoteke në vitin 2011, ka kundërshtuar vazhdimisht masat e vendosura ndaj tij. Gjykata Federale ka rrëzuar edhe ankesën e fundit lidhur me kushtet e mbajtjes.
Pesëmbëdhjetë vjet pas një vrasjeje në Grenchen të kantonit Solothurn, një shtetas i Kosovës vazhdon të jetë në qendër të një beteje të gjatë ligjore me autoritetet zvicerane. Çështja lidhet me masën e izolimit institucional dhe mënyrën e ekzekutimit të saj, ndërsa Gjykata Federale ka refuzuar së fundmi një tjetër ankesë të tij, përcjell albinfo.ch.
Ngjarja që çoi në dënimin e tij ndodhi më 3 prill 2011, rreth orës 03:00, jashtë diskotekës “Luxory”. Sipas vendimeve gjyqësore, kosovari, atëherë 23-vjeçar, nën ndikimin e alkoolit dhe drogës, sulmoi me thikë një rojë sigurie 22-vjeçare, duke e goditur shtatë herë.
Roja pësoi plagë të rënda në bark, kraharor dhe pjesë të tjera të trupit dhe ndërroi jetë si pasojë e gjakderdhjes së brendshme. Gjykatat arritën në përfundimin se mënyra, numri dhe forca e goditjeve tregonin se autori kishte pranuar mundësinë e vdekjes së viktimës.
Në maj 2014, Gjykata e Lartë e Solothurnit e dënoi atë me 16 vjet e 3 muaj burg për vrasje me dashje dhe vepra të tjera penale. Krahas dënimit, ndaj tij u vendos një masë terapeutike stacionare, e cila më vonë u zgjat për shkak të vlerësimit se rreziku i përsëritjes së veprave të rënda mbetej i lartë.
Gjatë vuajtjes së dënimit, gjendja e tij shëndetësore u rëndua. Ai u diagnostikua me sklerozë multiple dhe sot lëviz me karrocë invalidore. Megjithatë, gjykatat zvicerane kanë vlerësuar se sëmundja nuk e eliminon automatikisht rrezikun që ai mund të paraqesë për persona të tjerë.
Një nga elementet kryesore të këtij vlerësimi ishte edhe një incident i ndodhur më 27 janar 2020 në institucionin korrektues në Deitingen. Gjatë vuajtjes së dënimit, ai sulmoi me thikë një të burgosur tjetër. Për këtë rast u dënua me gjashtë vjet e gjysmë burg për tentativë vrasjeje me dashje eventuale, ndërsa ndaj tij u vendos përsëri masa e izolimit institucional. Gjithashtu, gjykata caktoi një ndalim dëbimi nga Zvicra për 13 vjet.
Pas ndërprerjes së masës terapeutike, autoritetet kaluan në zbatimin e “Verwahrung”, ose izolimit institucional. Kjo masë nuk ka një afat të përcaktuar paraprakisht, por mund të vazhdojë për aq kohë sa vlerësohet se personi paraqet rrezik serioz për shoqërinë. Vendimi për këtë masë u konfirmua edhe nga Gjykata Federale në vitin 2024.
Ndërkohë, mbrojtja ka kundërshtuar në vazhdimësi kushtet e mbajtjes. Një tjetër përplasje ligjore lidhej me periudhën nga nëntori 2024 deri në shkurt 2025, kur kosovari ishte vendosur përkohësisht në një regjim të veçantë brenda një institucioni korrektues në Solothurn dhe ishte ndarë nga jeta e përbashkët me të burgosurit e tjerë.
Ai pretendoi se kjo masë përbënte izolim të palejueshëm dhe cenonte të drejtat e tij themelore.
Në vendimin e fundit, të regjistruar me numrin 7B_466/2026, Gjykata Federale nuk e pranoi këtë argument. Sipas gjykatës, masa ishte proporcionale, veçanërisht duke pasur parasysh se kosovari kishte bërë kërcënime dhe nuk ishte distancuar prej tyre edhe pas transferimit.
Gjykata hodhi poshtë gjithashtu pretendimin se ai ishte mbajtur në izolim të plotë social. Sipas dosjes gjyqësore, atij i mundësoheshin dalje në oborr, aktivitete pune, përdorimi i palestrës, si dhe trajtim mjekësor dhe psikologjik.
Autoritetet kanë vlerësuar se edhe kujdesi i nevojshëm për shkak të sklerozës multiple mund të sigurohet në kuadër të sistemit aktual të mbajtjes.
Kështu, edhe pas më shumë se një dekade procedurash gjyqësore, gjykatat zvicerane kanë mbështetur vazhdimin e masës së izolimit institucional, duke e lidhur atë me vlerësimin e rrezikut dhe jo vetëm me gjendjen e rënduar shëndetësore të të dënuarit./Albinfo/