Ish-futbollisti argjentinas Alejandro Mancuso, i cili ishte pjesë e stafit të Diego Maradonës në përfaqësuesen e Argjentinës, akuzohet për përfshirje në një skemë të shitjes së licencave të falsifikuara të trajnerit.

Sipas një hulumtimi të publikuar nga mediumi brazilian UOL, të raportuar edhe nga La República, Mancuso dyshohet se ishte pjesë e një organizate që ofronte licenca të kategorive C, B, A dhe Pro, të cilat pretendohej se lëshoheshin nga organizata argjentinase e trajnerëve të futbollit. Çmimi për to arrinte deri në 20 mijë dollarë, ndërsa përfitoheshin shumë më shpejt sesa licencat e rregullta, të cilat kërkojnë tri vjet trajnim.

Në mesin e emrave të njohur që raportohet se kanë paguar për këto licenca janë Roberto Carlos, Thiago Silva, Paulinho, Diego Lugano, Felipe Melo, Dejan Petkovic dhe Paolo Guerrero.
Disa prej tyre kanë dhënë shpjegimet e tyre. Guerrero ka pretenduar se nuk e dinte që licenca ishte e falsifikuar, ndërsa Roberto Carlos dhe Thiago Silva kanë deklaruar se i morën certifikatat, por nuk i përdorën. Felipe Melo, ndërkohë, ka thënë se iu kthyen paratë pas një përballjeje me Mancuson.

Reklamë

Organizata argjentinase e trajnerëve të futbollit ka mohuar çdo lidhje me Mancuson. Ky i fundit i ka mohuar akuzat për shitjen e licencave të falsifikuara, duke pretenduar se vetëm kishte ndërmjetësuar kontaktet mes personave të interesuar dhe shitësve.

Mancuso, 58-vjeçar, ka luajtur për disa klube të njohura të Amerikës së Jugut dhe ka regjistruar dhjetë paraqitje me Argjentinën. Ai ishte pjesë e stafit të Maradonës kur legjenda e futbollit drejtonte kombëtaren argjentinase, përfshirë edhe në Kupën e Botës 2010.