Real Madridi ka kontaktuar përfaqësuesit e Scott McTominayt për një transferim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”, raportojnë mediat italiane, teksa vazhdon pasiguria rreth të ardhmes së tij te Napoli.
McTominay, i cili ka shkëlqyer që nga transferimi te Napoli nga Manchester United në verën e vitit 2024, tashmë është në vitin e tretë të kontratës së tij katërvjeçare në Napoli.
Në gusht u raportua se Napoli po përgatitej t’i ofronte reprezentuesit të Skocisë një zgjatje afatgjatë të kontratës deri në vitin 2030, me mundësinë e vazhdimit edhe për një vit tjetër, por ende nuk është arritur asnjë marrëveshje.
Në fakt, teksa negociatat vazhdojnë të ngecin, Real Madridi ka qenë në kontakt me përfaqësuesit e McTominayt, sipas një raportimi të gazetës “Il Mattino”, e cila pretendon se klubi madrilen ka kërkuar informacione për të ardhmen e tij të pasigurt.
Raportimi në fjalë pretendon gjithashtu se disa klube të Premierligës pritet të shprehin interesimin e tyre për mesfushorin 29-vjeçar, i cili gjatë verës ishte lidhur me një rikthim në Angli.
Nëse transferimi te gjiganti spanjoll do të realizohej, McTominay do të ribashkohej me ish-trajnerin e tij te Manchester Unitedi, Jose Mourinho, i cili ia kishte dhënë debutimin në ndeshjen kundër Arsenalit gjatë sezonit 2016/17.
Mourinho e ka shprehur publikisht vlerësimin për skocezin në shumë raste, duke e quajtur “djalin tim”, pasi Rio Ferdinand i kërkoi të fliste për lojtarët që kishte shijuar më së shumti t’i stërviste.
“Kur mendoj për Scott McTominayn”, nisi ai.
“Pogba ishte në bankën rezervë dhe unë e aktivizova atë në Sevillë. Ai është djali im. Kur kaloj nga një klub në tjetrin, i gjej djemtë e mi. Dhe ata do të jenë gjithmonë djemtë e mi”, shtoi ai.
Admirimi i tij për McTominayn ishte aq i madh, sa Mourinho e shpalli atë Lojtarin e Vitit sipas trajnerit në verën e vitit 2018, pasi e krijoi këtë çmim posaçërisht për të vlerësuar sezonin e jashtëzakonshëm të mesfushorit.
McTominay, i cili iu bashkua Manchester Unitedit në moshën pesëvjeçare dhe më pas zhvilloi 255 paraqitje për klubin e fëmijërisë së tij, e ka falënderuar shpesh Mourinhon për mundësinë që i dha për të shpërthyer në futbollin profesionist.
Duke folur në “High Performance Podcast”, 29-vjeçari tregoi për bisedën emocionale me Mourinhon në ditën e fundit të portugezit te Manchester Unitedi. Ai konfirmoi gjithashtu se të dy vazhdojnë të mbajnë kontakte.
“Ditën kur ai u largua, e pashë në korridor dhe më ftoi të hyja brenda. Nuk dija çfarë të thoja. Isha i shkatërruar. Ishte e vështirë”, tha McTominay.
“Ky njeri do të thotë shumë për mua dhe më ka dhënë të gjitha ëndrrat që mund të kisha dëshiruar ndonjëherë, e tani ai është larguar. Nuk dija çfarë të mendoja. Hezitoja dhe nuk dija si të shprehesha. Thjesht i thashë: ‘Faleminderit për mundësinë, ke qenë një legjendë e vërtetë për mua, të uroj fat në atë që do të bësh më pas’. Ne ende mbajmë kontakte herë pas here. Nëse kam zhvilluar një ndeshje të mirë, ai më njofton. Më dërgon mesazh duke më thënë ‘bravo, djalosh’, siç më quan gjithmonë. Ishin kohë të mrekullueshme dhe i jam jashtëzakonisht mirënjohës”, e mbylli ai.