Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga PDK-ja, Vlora Çitaku, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe vëllait të saj në Livoç të Ulët të Gjilanit, duke e cilësuar ngjarjen si tronditëse, të dhimbshme dhe të papranueshme.
Përmes një reagimi, Çitaku ka thënë se rasti tregon se Kosova ende ka shumë punë për të bërë në fuqizimin e grave dhe arritjen e barazisë së vërtetë.
Ajo ka theksuar se fuqizimi i grave nuk matet vetëm me numrin e tyre në pozita të larta institucionale, por edhe me mundësinë që ato të jetojnë të lira dhe pa frikë nga dhuna, kërcënimet apo presioni.
“Kemi zgjedhur tri gra Presidente. Krenohemi me arritjet tona dhe i themi vetes se kemi bërë shumë për fuqizimin e grave. Por vjen një goditje si kjo dhe e kupton sa larg jemi ende nga barazia e vërtetë, sa shumë punë kemi përpara dhe sa thellë janë rrënjosur ende mendësitë që e cenojnë jetën, lirinë dhe dinjitetin e gruas”, ka shkruar Çitaku.
Ajo ka kërkuar që shoqëria të mos kërkojë motive për ta shpjeguar dhunën, të mos e fajësojë viktimën dhe të mos e relativizojë krimin.
“Asnjë motiv nuk e arsyeton dhunën. Asnjë rrethanë nuk e justifikon vrasjen. Dhe asnjë grua nuk duhet të paguajë me jetën e saj për të drejtën për të qenë e lirë”, ka theksuar ajo.
Në fund, Çitaku ka shprehur dhimbje për viktimat dhe familjet e tyre, duke e mbyllur reagimin me fjalët: “Sa e rëndë. Sa tronditëse. Sa shumë dhimbje. Dhe sa shumë arsye për revoltë”.
Ngjarja e rëndë ndodhi të premten në Livoç të Ulët të Gjilanit. Sipas Policisë së Kosovës, dy persona u vranë dhe një tjetër u plagos me armë zjarri. I dyshuari është vetëdorëzuar në polici, ndërsa motivi i ngjarjes ende nuk dihet.