Kryeministri Albin Kurti ka pritur sot në takim Komisionerin e Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare, Christophe Kamp, me të cilin ka diskutuar për të drejtat e komuniteteve, përdorimin e gjuhëve dhe qasjen në arsim e shërbime publike.
Përmes një postimi, Kurti ka theksuar se barazia para ligjit është themel i Republikës së Kosovës dhe se të drejtat duhet të mbrohen, ndërsa detyrimet ligjore të zbatohen njësoj për të gjithë.
Ai ka thënë se Kushtetuta e Kosovës garanton të drejta të gjera për komunitetet joshumicë, duke shtuar se këto garanci duhet të zbatohen plotësisht në jetën institucionale dhe shoqërore.
Gjatë takimit, Kurti ka ngritur edhe shqetësimin për atë që e ka cilësuar si diskriminim sistematik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë nga autoritetet e Serbisë.
Sipas tij, kjo shfaqet përmes pasivizimit të adresave, pengesave në arsim dhe nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike.
Kurti ka kërkuar angazhim të drejtpërdrejtë dhe trajtim konkret të këtyre çështjeve, duke theksuar se Serbia duhet të garantojë barazi reale për shqiptarët dhe të respektojë të drejtat e tyre të njeriut dhe civile.
“Të drejtat e tyre nuk mund të mbeten peng i vullnetit politik të një sistemi autokratik”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë të ditur se bashkëpunimi me Zyrën e Komisionerit të Lartë të OSBE-së për Pakicat Kombëtare do të vazhdojë, duke theksuar se mbrojtja e të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe sundimi i ligjit janë detyrime që e plotësojnë njëra-tjetrën.