Senatorët amerikanë Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen të hënën pritet ta vizitojnë Kosovën në kuadër të një turneu në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit po diskutojnë për sigurinë rajonale, institucionet demokratike, zhvillimin ekonomik dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Durbin, zëvendëskryetar i grupit demokrat në Senatin amerikan, dhe Shaheen, anëtarja demokrate e rangut më të lartë në Komitetin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë, kanë përfunduar vizitën në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa po qëndrojnë në Shqipëri.

Senatorja Shaheen gjatë qëndrimit në Shqipëri, tha se Tirana duhet të dijë se ajo që ndodh në Kosovë dhe Bosnjë ka ndikim edhe në stabilitetin e Shqipërisë, raporton REL.

Reklamë

“Shqipëria e kupton se paqëndrueshmëria nuk ndalet te kufiri. Ajo që ndodh në Bosnjë ka rëndësi këtu. Ajo që ndodh në Kosovë ka rëndësi këtu. Nëse stabiliteti është objektivi ynë, politika amerikane duhet të përforcojë institucionet dhe marrëveshjet që kanë ndihmuar në ruajtjen e tij”, tha ajo.

Gjatë qëndrimit në vendet e rajonit, senatorët do të takohen me zyrtarë qeveritarë, përfaqësues diplomatikë amerikanë, pjesëtarë të shoqërisë civile dhe liderë të rinj.

Sipas njoftimit, në fokus të takimeve do të jenë proceset e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, bashkëpunimi me NATO-n, diversifikimi i burimeve të energjisë dhe zbatimi i Aktit për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor, të miratuar si pjesë e Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare për vitin fiskal 2026.

Durbin tha se vizita në rajon vjen në një kohë të rëndësishme, vetëm pak ditë pas zgjedhjeve në Bosnjë e Hercegovinë, duke theksuar se, ndonëse disa shtete të dala nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë janë anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian, sfidat vazhdojnë edhe tri dekada pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

“Vizita jonë do të dëshmojë interesimin e vazhdueshëm të SHBA-së për të parë përparim dhe vazhdim të pajtimit në rajon”, deklaroi Durbin.

Reklamë

Ndërkaq, Shaheen tha se gjatë vizitës do të takohet me zyrtarë, liderë të rinj dhe përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar sigurinë, mundësitë ekonomike dhe marrëdhëniet e vendeve të rajonit me Shtetet e Bashkuara. /Reporteri.net/.