Më 29 tetor, në orën 09:50, do të mbahet seanca në Gjykatën e Apelit, ku do të shqyrtohen ankesat lidhur me aktgjykimin ndaj Naim Murselit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj.
Ankesa e Murselit, e dorëzuar nga dy avokatët e tij dhe e përbërë nga 30 faqe, kërkon prishjen e aktgjykimit ose shqiptimin e një dënimi më të butë.
Sipas raportimit të Klan Kosovës, mbrojtja pretendon se gjykata e shkallës së parë i ka vlerësuar provat në mënyrë të njëanshme dhe selektive. Në ankesë ngrihen pretendime edhe lidhur me mënyrën se si policia e ka marrë në pyetje Murselin.
Avokatët pretendojnë se gjykata nuk i ka marrë parasysh disa nga propozimet e mbrojtjes, përfshirë rikonstruktimin e vendit të ngjarjes dhe ekzaminimin e rrobave të Murselit.
Ankesë në Gjykatën e Apelit ka deponuar edhe Leotrim Syla, avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj. Ai i ka kërkuar Kolegjit të Apelit që, krahas Naim Murselit dhe Granit Plavës, me burgim të përjetshëm të dënohet edhe Kushtrim Kokalla.
Gjykata e Apelit pritet t’i shqyrtojë ankesat në seancën e caktuar për 29 tetor.