Komisioni i Pavarur për Media (KPM) sot e ka miratuar lëshimin e lejes për transmetim eksperimental të “Radio Policisë”, një projekt i Policisë së Kosovës që synon informimin e qytetarëve për trafikun dhe çështjet e sigurisë.
Por, njoftimi për këtë iniciativë rikthen vëmendjen te një vizitë e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, në Kolumbi, ku ai kishte vizituar edhe radion e Policisë Kombëtare të këtij shteti.
Më 14 prill 2025, Policia e Kosovës kishte njoftuar se Hoxha, kishte marrë pjesë në një konferencë të udhëheqësve të lartë policorë në Bogota. Gjatë kësaj vizite, ai kishte vizituar radion e Policisë Kombëtare të Kolumbisë dhe kishte dhënë një intervistë për të arriturat e Policisë së Kosovës në zbatimin e ligjit, si dhe mesazhe motivuese për policët kolumbianë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Rastësi apo Frymëzim? Rreth një vit e gjysmë më vonë, Policia e Kosovës po e çon përpara projektin e saj për një radio institucionale, e cila, sipas shpjegimit të dhënë në mbledhjen e KPM-së më 12 tetor 2026, do të shërbejë për informimin e publikut për trafikun dhe sigurinë e qytetarëve.
Kjo përputhje kohore ngre pyetjen nëse përvoja e radios policore në Kolumbi ka qenë një nga modelet që kanë ndikuar në zhvillimin e projektit në Kosovë. Megjithatë, deri më tani nuk është konfirmuar se ideja për “Radio Policinë” është marrë nga Kolumbia.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka deklaruar se analizat për themelimin e radios kanë nisur vite më parë, përmes një grupi punues. Sipas Policisë, gjatë kësaj pune janë konsultuar partnerë vendorë dhe ndërkombëtarë, është shqyrtuar modeli i Radio KFOR-it, që funksionon në Kosovë që nga paslufta, si dhe janë zhvilluar takime me radio të ndryshme në vend për t’u njohur me procedurat e funksionimit dhe transmetimit të informacionit.
Policia ka thënë se synimi i projektit është promovimi i punës së saj në komunitet dhe afrimi me qytetarët, në mënyrë që të adresohen më lehtë shqetësimet dhe çështjet e sigurisë.
Në mbledhjen e KPM-së, Niman Racaj nga Departamenti Ligjor ka sqaruar se leja për transmetim eksperimental ka kohëzgjatje prej një viti, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai ka theksuar se subjekteve që pajisen me këtë leje u ndalohen aktivitetet komerciale dhe konkurrimi në tregun medial.
Ndërkaq, kryetari i KPM-së, Besnik Berisha, ka përmendur mundësinë e bashkëpunimit institucional ndërmjet KPM-së dhe Policisë së Kosovës, si dhe nevojën për të përcaktuar kushtet operative dhe ndarjen e kompetencave.
Mbetet e paqartë nëse gjatë vizitës në Kolumbi, Hoxha është njohur me mënyrën e funksionimit të radios policore si model që mund të zbatohet në Kosovë, apo nëse vizita nuk ka pasur ndonjë ndikim në këtë projekt.