Kompania Regjionale e Mbeturinave “Pastrimi” ka kërkuar falje për vonesat dhe mosrealizimin e plotë të shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në disa lagje të kryeqytetit dhe në qytetet e tjera ku operon.

Në një njoftim në Facebook, kompania ka bërë të ditur se vështirësitë kanë ardhur si pasojë e ndryshimit të orarit të operimit nga Kompania për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK), e cila nga 1 tetori ka vendosur që deponia në Mirash të mbyllet në mesnatë.

Sipas “Pastrimit”, ky ndryshim po e pamundëson përfundimin e ciklit të planifikuar të operimit gjatë orëve të natës.

Reklamë

“Shërbimi i grumbullimit të mbeturinave kërkon orar të pandërprerë për 24 orë, siç kemi operuar deri më tani”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

“Pastrimi” ka theksuar se menaxhimi i deponisë nuk është në kompetencën e saj, duke sqaruar se KMDK-ja është ndërmarrje publike qendrore dhe funksionon në mënyrë të pavarur nga kjo kompani.

Pavarësisht vështirësive, kompania ka thënë se ekipet e saj janë duke punuar për t’i rikuperuar vonesat dhe për ta vazhduar shërbimin sa më shpejt.

“Ekipet tona mbeten të angazhuara maksimalisht për të rikuperuar vonesat dhe për të vazhduar shërbimin sa më shpejt, me qëllim që të minimizohet çdo ndikim për qytetarët dhe shëndetin publik”, thuhet më tej në njoftim.

Kompania ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me deponinë për të gjetur një zgjidhje për situatën e krijuar.

Reklamë