Sot kemi mbajtur mbledhjen urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi për të adresuar situatën e sigurisë pas ngjarjeve të fundit tragjike.
Në këtë takim, ku mori pjesë edhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, u njoftuam nga afër me detajet e rasteve përmes drejtorit rajonal dhe komandantit të stacionit të policisë.
Gjatë mbledhjes kërkova zyrtarisht rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve tanë.
Si institucione komunale kemi ofruar bashkëpunim të plotë e të pakursyer me organet e rendit, ndërsa secili përfaqësues institucional mori për obligim një angazhim të shtuar për të parandaluar ngjarje të tilla në komunën tonë.
Mbrojtja e jetës së qytetarëve tanë mbetet prioriteti ynë kryesor dhe do të punojmë me vendosmëri për të garantuar qetësinë dhe rendin publik në çdo pjesë të Gjilanit.