Gjeneralmajori italian Roberto Vergori ka marrë të mërkurën komandën e misionit të KFOR-it në Kosovë, duke pasuar gjeneralmajorin turk Ozkan Ulutash.
Në ceremoninë e ndërrimit të komandës, Vergori ka thënë se KFOR-i do të vazhdojë të jetë i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij, me synimin për të krijuar kushte për një të ardhme me paqe të qëndrueshme, demokraci dhe prosperitet për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Ai e cilësoi marrjen e kësaj detyre si privilegj të veçantë dhe përgjegjësi të madhe, duke rikujtuar se misioni i KFOR-it në Kosovë është operacioni më i gjatë dhe, sipas tij, ndoshta edhe më i madhi i NATO-s.
“Synimi ynë është të sigurojmë që misioni të vazhdojë të luajë rolin e tij në krijimin e kushteve të duhura për një të ardhme në të cilën gjeneratat e reja mund të gëzojnë plotësisht përfitimet e paqes së qëndrueshme, demokracisë dhe prosperitetit. Ky është edhe motoja ime: liri për njerëzit, shërbim për njerëzit”, ka deklaruar Vergori.
Gjenerali italian ka theksuar se KFOR-i mbetet i përkushtuar në përmbushjen e mandatit të tij afatgjatë, përmes angazhimit të vazhdueshëm operacional.
Duke folur për rëndësinë e shërbimit ushtarak, Vergori ka thënë se mbrojtja e njerëzve dhe përgjegjësia ndaj tyre duhet të jenë në qendër të çdo angazhimi.
“Shërbimi është themeli i ushtrisë. Detyra vjen gjithmonë e para. Jo sepse kemi diçka për të përfituar, por sepse tashmë kemi bërë zgjedhjen tonë: t’ia kushtojmë jetën shërbimit ndaj njerëzve të cilët kemi përgjegjësi t’i mbrojmë”, është shprehur ai.
Vergori ka shtuar se ndërrimi i komandës nuk është vetëm një procedurë formale, por pjesë e traditës ushtarake që pasqyron vazhdimësinë e detyrës dhe përkushtimin ndaj njerëzve.
“Ne jemi krenarë për misionin tonë, që është të mundësojmë përparim për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”, ka përfunduar komandanti i ri i KFOR-it.