Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli, admirali George M. Wikoff, ka deklaruar se misioni i KFOR-it në Kosovë mbetet i përqendruar në ruajtjen e një mjedisi të sigurt, ku të gjitha komunitetet mund të jetojnë në paqe.

Wikoff ka theksuar se për më shumë se 27 vjet, pjesëtarë të KFOR-it nga mbi 31 shtete kanë shërbyer në Kosovë, duke kontribuar në sigurinë dhe stabilitetin e vendit.

“Mandati është i qartë: të vendosë, të ofrojë dhe të ruajë një mjedis të sigurt në territorin e Kosovës, në mënyrë që të gjithë të mund të jetojnë në paqe”, ka deklaruar ai.

Reklamë

Admirali ka vlerësuar profesionalizmin dhe guximin e pjesëtarëve të KFOR-it, të cilët, sipas tij, për më shumë se dy dekada e gjysmë janë angazhuar për krijimin e kushteve të sigurta për të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ai ka përmendur gjithashtu sakrificën e ushtarëve që kanë shërbyer larg familjeve të tyre, me qëllim që qytetarët e Kosovës të kenë një të ardhme më të mirë.

“Për 27 vjet, pjesëtarët e KFOR-it kanë shërbyer larg shtëpive të tyre dhe të ndarë nga familjet, për t’u siguruar njerëzve, të cilët shpesh nuk i kanë takuar kurrë, një jetë më të mirë”, ka thënë Wikoff.

Komandanti i NATO-s në Napoli ka theksuar se misioni vazhdon të zhvillohet, ndërsa NATO-ja synon të rrisë kapacitetet për ofrimin e ndihmës humanitare dhe të shfrytëzojë në mënyrë sa më efikase burimet në dispozicion.

Sipas tij, përmes integrimit dhe optimizimit të vazhdueshëm të burimeve, synohet të rritet efektiviteti i KFOR-it dhe të forcohet përmbushja e mandatit të tij në Kosovë.

Reklamë