Kylian Mbappé nuk kishte udhëtuar në Paris vetëm për të kaluar kohë me të dashurën e tij, Ester Expósito.
Sulmuesi i Real Madridit ishte paraqitur edhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të Policisë Kombëtare franceze, në kuadër të një hetimi që lidhet me Mohamed Sanhadjin, ish-përgjegjësin e sigurisë së Kombëtares së Francës.
Më 30 shtator, Mbappé ishte kritikuar në Spanjë për udhëtimin në kryeqytetin francez, në një kohë kur ishte i lënduar.
Ai ishte fotografuar në një festë me partneren e tij, duke nxitur reagime për vendimin e tij për të udhëtuar gjatë periudhës së rikuperimit.
Megjithatë, sipas raportimit të “L’Équipe”, arsyeja kryesore e udhëtimit lidhej me çështjen gjyqësore që po hetohet në Francë, përcjell “Gazeta Express”.
Në fokus një donacion prej 60 mijë eurosh
Autoritetet franceze po e shqyrtojnë një donacion prej 60.300 eurosh, të cilin Mbappé ia kishte dhënë Sanhadjit në qershor të vitit 2023.
Sipas raportimit, shuma vinte nga bonuset që sulmuesi i kishte përfituar pas Kupës së Botës 2022.
Hetuesit po e shqyrtojnë gjithashtu një hua prej 120 mijë eurosh, të cilën ish-zyrtari policor dyshohet se e kishte kërkuar duke iu referuar vështirësive financiare.
Në hetim është përfshirë edhe udhëtimi familjar i Mbappés në Kamerun, në korrik të vitit 2023, ku Sanhadji kishte qenë pranë futbollistit.
Është marrë në pyetje edhe nëna e Mbappés
Në kuadër të së njëjtës çështje është marrë në pyetje edhe Fayza Lamari, nëna e sulmuesit francez.
Ajo është paraqitur para tre gjyqtarëve hetues dhe është vendosur në statusin e dëshmitares së asistuar, pa u akuzuar zyrtarisht.
Sipas raportimit, Lamari dyshohet se i kishte kërkuar Sanhadjit të ndihmonte në sigurimin e katër vizave për disa familjarë.
Ndërkohë, Sanhadji është vënë zyrtarisht nën akuzë më 16 shtator, për vepra që lidhen me korrupsionin, mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Çështja vazhdon të hetohet nga autoritetet franceze, ndërsa marrja në pyetje e Mbappés nuk nënkupton se ai është shpallur fajtor për ndonjë shkelje.