Ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Luciano Moggi, beson se bardhezinjve u mungon një trajner, duke këmbëngulur se skuadra nuk u paraqit fare në humbjen 3-0 në shtëpi ndaj Lazios të dielën.
Sipas “TMW”, Moggi tha në një intervistë: “Nuk do të thosha se skuadra luajti keq dje. Do të thosha se nuk luajti fare. Të flasësh për paraqitjen e tyre është e pavend, sepse ata nuk dolën në fushë. Nëse i dëgjoni komentet e Bremerit, e kuptoni situatën e skuadrës. Për pjesën tjetër duhet të pyeten ata që janë në krye, jo unë”.
Lazio triumfoi në stadiumin “Allianz” falë golave të Oliver Provstgaard, Gustav Isaksen dhe Fisayo Dele-Bashiru.
Juventusi u përcoll me vërshëllima nga tifozët dhe tani ndodhet tetë pikë prapa Interit dhe Lazios. Luciano Spalletti e ndoqi ndeshjen nga tribunat, pasi po vuante dënimin e tij.
Kapiteni Gleison Bremer i kritikoi bashkëlojtarët pas ndeshjes, duke thënë se “nuk mund t’i mbajë të gjithë mbi supe”. Spalletti u përgjigj se braziliani ishte po aq përgjegjës për humbjen sa të tjerët.
“Problemi kryesor është mungesa e trajnerit”, tha Moggi.
“Nëse Bremer e thotë këtë publikisht, është në rregull, por sipas mendimit tim, ai bëri një gabim të madh te goli i tretë. E përcolli kundërshtarin për 500 metra dhe e la të gjuante. Secili po kujdeset vetëm për interesat e veta”, shtoi ai.
Pas ndeshjes, Spalletti pranoi se nuk ishte më i sigurt nëse lojtarët po e ndiqnin atë.
“Këto janë siguri që ai nuk duhet t’i ketë. Për momentin, asgjë nuk është e sigurt”, tha Moggi.
“Kur dëgjon komente të tilla, lëndimet nuk mund të shërbejnë si justifikim”, u shpreh ai.
I pyetur nëse pozita e Spallettit duhet të jetë në rrezik, në një kohë kur tifozët po kërkojnë Antonio Conten, ai u përgjigj: “Pyetni tifozët. Unë nuk mund të gjykoj nga jashtë”.
Moggi e sheh Interin dhe Romën si pretendente për titullin e kampionit të Italisë, duke thënë se “më shumë Interin sesa Romën, por të dyja, sepse janë skuadrat më kompakte dhe më të organizuara”.
Ai ishte i drejtpërdrejtë edhe kur foli për Napolin e Massimiliano Allegrit, që po kalon vështirësi: “Ata u nisën me synimin për të marrë rezultate, por nuk po i arrijnë ato. Për momentin, nuk dinë më si të fitojnë”.