Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e 1 milion eurove për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.

Amendamenti ishte propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Personat e Pagjetur, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për vitin 2026.

Në votim, amendamenti mori pesë vota për, asnjë kundër dhe pesë abstenime, duke mos siguruar mbështetjen e nevojshme.

Reklamë

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, tha se propozimi synonte të siguronte mjete financiare për pajisjet dhe protezat e invalidëve të luftës.

Megjithatë, ministri i Financave, Hekuran Murati, deklaroi se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të miratuar në mars të vitit 2024, i cili mundëson mbulimin e shpenzimeve përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

Haliti, duke iu referuar informatave të pranuara nga Ministria e Shëndetësisë, tha se në vitin 2024 ishin nxjerrë dy vendime për mbulimin financiar të ndërrimit, mirëmbajtjes dhe vendosjes së protezave për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës.

Sipas tij, nga këto vendime kanë përfituar gjithsej 103 persona, prej tyre 58 invalidë të luftës së UÇK-së dhe 45 invalidë civilë të luftës. Haliti tha se kërkesat për mbulimin e shpenzimeve ishin zgjidhur, me përjashtim të një rasti që ishte ende në shqyrtim.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa lidhur me mbulimin e shpenzimeve për proteza. Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e konsideroi të nevojshëm propozimin, duke theksuar se disa invalidë të luftës janë mbështetur te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë për ndërrimin e protezave.

Reklamë

Ndërsa deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të qëndrueshme, duke u përfshirë në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK. Sipas tij, kujdesi për këtë kategori nuk duhet të varet nga vendimet e veçanta të qeverisë apo ministrit të Shëndetësisë.

Gjatë mbledhjes, anëtarët e Komisionit diskutuan edhe për nenin 5 të projektligjit, që lidhet me mundësinë e pagesës së kompensimeve retroaktive, përfshirë ato që burojnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Lushtaku kërkoi sqarime për formulimin që parasheh se Qeveria “mund të miratojë” pagesën e kompensimeve retroaktive, duke ngritur çështjen nëse kjo duhet të jetë një detyrim dhe jo një mundësi.

Ministri Murati tha se formulimi synon të krijojë bazën ligjore për realizimin e pagesave, duke shmangur njëkohësisht tejkalimet buxhetore. Në anën tjetër, Hoti argumentoi se zbatimi i një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese nuk duhet të mbetet në diskrecionin e ekzekutivit.

Reklamë

Përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit tha se formulimi mund të rishikohet, duke propozuar heqjen e fjalës “mund” dhe përcaktimin se Qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv.

Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur as  amendamentin e deputetes së Aleancës, Teuta Haxhiu, për ndarjen e 600 mijë eurove për ndërtimin e një kompleksi memorial për fëmijët e vrarë dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Amendamenti mori katër vota për, asnjë kundër dhe gjashtë abstenime.

Haxhiu tha se kërkesa për ndërtimin e memorialit është e domosdoshme, duke theksuar se, edhe pas 27 vjetësh, nuk ekziston një vend ku mund të vendosen lule në kujtim të fëmijëve të vrarë e të zhdukur gjatë luftës.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kundërshtoi amendamentin, duke thënë se ndërtimi i memorialit është përgjegjësi e Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, në kuadër të Ministrisë së Kulturës.

Reklamë

Ai gjithashtu vlerësoi se koha e mbetur deri në fund të vitit nuk lejon realizimin e një projekti të tillë përmes rishikimit të buxhetit.

“Memoriali është veprimi që i takon Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, që është në kuadër të Ministrisë së Kulturës, e dyta, po propozoni ndarje buxhetore për një projekt në fund të muajit tetor, pra për një rishikim i cili hyn në fuqi fillimisht në fillim të nëntorit, dhe janë më pak se 2 muaj deri në skadimin e këtij buxheti. Pra, edhe ju jeni të vetëdijshëm që kjo nuk bëhet. Arsyeja pse po e bëni, ndoshta e dini ju më mirë, mirëpo ju e dini që propozimi tash, kur kanë mbetur edhe 2 muaj deri në fund të vitit, ku prapë e hyn në fuqi ligji, me u iniciu procedurat e prokurimit, me u shpall fitusi me u trajtu ankesat, e gjitha këto edhe tek pastaj a mund të arrihet që të nënshkruhet kontrata, e kurrë me u kry puna, kur e gjitha kjo duhet të përmbyllet para datës 31 dhjetor, apo jo?”, tha Murati.

Ai e cilësoi propozimin si jo serioz në aspektin e procedurave buxhetore dhe kërkoi që çështja të trajtohet në rrugë institucionale.

“Prandaj e shoh që nuk është qasja shumë serioze, mirë për fjalimin e gjitha këto, pyetja do të ishte edhe: çka keni bërë ju për të gjitha vitet, sa keni qenë në pushtet, se pajtohem me fjalimin që e thatë, pra është e dhimbshme që s’ka një memorial të tillë, megjithatë le ta trajtojmë institucionalisht si duhet, pra e jo me deklarata politike elektorale, sepse s’kemi zgjedhje”, tha ministri.

Reklamë

Në përgjigjen e saj, Haxhiu tha se kërkesa për ndërtimin e memorialit nuk është e re dhe se për këtë projekt, sipas saj, kishte pasur kode buxhetore edhe në qeveritë e kaluara.

“Në praktikën e ministrave të financave, ka modele që e kanë jo vetëm profesionalizmin, por edhe kulturën. E para, nëse në këtë aspekt e quani joserioze një kërkesë të tillë, unë jam rikthyer, ministër, deputete, kam qenë prej 2010-ës deri në 2021-ën, jam rikthyer, sot nesër dhe drejt kryhet një projekt i tillë, sa herë të është mundësia. Po ta rikujtojmë, mos më ndërhy, po po ta rikujtoj, ka pas kod, po ta rikujtoj ty, kthehu mbrapa, ka pas kod në qeverinë e Hashim Thaçit, ka pas kod, pas kod ndam në qeverinë Haradinaj, kqyri. Unë jam nënë edhe jam gjyshe, unë e kam ndjeshmërinë në këtë aspekt, flasim për 600.000 euro”, tha Haxhiu.