Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka reaguar pasi që Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk e ka miratuar amendamentin për ndarjen e 1 milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës.
Deputeti Haradinaj e ka cilësuar si të papranueshme një vendim të tillë.
“Është e papranueshme që ata që dhanë gjymtyrët dhe shëndetin për lirinë e Kosovës, sot të lihen në harresë nga kjo qeveri. Mosmbështetja e amendamentit për ndarjen e një milion eurove shtesë për proteza dhe pajisje mjekësore për invalidët e luftës është e dhimbshme dhe dëshmi e mungesës së kujdesit nga ana e pushtetit ndaj kësaj kategorie të shenjtë.”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka thënë se proteza për një invalid të luftës nuk është luks, por domosdoshmëri.
“Këto pajisje duhet të ndërrohen periodikisht, ndërsa kostoja e tyre është e papërballueshme për shumë prej tyre. Është detyrim i shtetit që t’ua sigurojë, e jo t’i lërë të kërkojnë ndihmë te miqtë dhe bashkatdhetarët në diasporë.”, ka shkruar ai.