Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet J.J., i dyshuar për vrasjen e rëndë të vëllait të tij dhe për mbajtje në posedim të paautorizuar të armës.

Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 21 mars 2026, rreth orës 15:00, në fshatin Bokshiq të Komunës së Klinës, pas një mosmarrëveshjeje për çështje pronësore ndërmjet viktimës dhe babait të tyre.

Prokuroria dyshon se pas kësaj mosmarrëveshjeje, i pandehuri ka marrë një armë zjarri nga shtëpia dhe ka shtënë katër herë në drejtim të vëllait të tij.

Reklamë

Si pasojë e plagëve të marra, viktima ka pësuar gjakderdhje të madhe të brendshme dhe të jashtme, për shkak të dëmtimit të arteries në këmbën e majtë. Ai më pas ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pejës.

“Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit me inicialet J.J., nën dyshimin për kryerjen e veprave penale ‘Vrasja e rëndë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Përveç dyshimit për vrasje të rëndë, i pandehuri akuzohet edhe për posedim të paautorizuar të një pistolete të kalibrit 9×19 mm, një karikatori dhe dhjetë fishekëve të të njëjtit kalibër, për të cilat, sipas Prokurorisë, nuk kishte leje nga organet kompetente.

Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës kompetente që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale për të cilat akuzohet.

Reklamë