Gjatë natës, forcat ruse goditën qendrën historike të kryeqytetit ukrainas me një raketë balistike Iskander, të pajisur me një kokë luftarake thërrmuese, raporton Euronews.
Një këshilltar i presidentit ukrainas deklaroi se ky lloj arme është krijuar për të shkaktuar numrin më të madh të mundshëm të viktimave në zona me popullsi të dendur.
Eksperti i komunikimit Serhiy Beskrestnov, i njohur me nofkën “Flash”, shpjegoi se raketa mbante një kokë luftarake thërrmuese të llojit K5.
Ajo shpërthen mbi tokë, duke shpërndarë dhjetëra nën-municione shpërthyese mbi një sipërfaqe të gjerë.
“Kjo kokë luftarake shpërthen mbi tokë dhe përdoret ekskluzivisht për të shkaktuar dëme maksimale ndaj personelit dhe pajisjeve në një zonë me përmasa 400 me 400 metra,” deklaroi Beskrestnov, duke shtuar se 58 nën-municionet e saj shpërthejnë në ajër.
Ai akuzoi Moskën se ka shënjestruar qëllimisht civilët dhe Qytetin e Vjetër historik, në vend të objektivave ushtarake.
“Ky sulm nuk është kryer për qëllime ushtarake. Qëllimi ishte shkatërrimi i një pjese të Qytetit të Vjetër dhe plagosja e sa më shumë njerëzve. Kemi shumë civilë të plagosur dhe shkatërrime të mëdha,” tha ai.
Sulmi në qendër të qytetit ishte pjesë e një sulmi ajror rus në shkallë të gjerë ndaj Kievit dhe zonës përreth, gjatë natës së 21-22 tetorit. Sipas raportit të presidentit Volodymyr Zelensky, të paktën dy persona humbën jetën dhe 34 të tjerë u plagosën, përfshirë pesë fëmijë.
Sulmi ndodhi vetëm pak orë pas një takimi midis të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe presidentit rus Vladimir Putin në Shën Petersburg.
Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar një urdhër-arresti kundër presidentit rus, nën dyshimin për dëbim dhe transferim të paligjshëm të fëmijëve ukrainas.