Arda Güler do të vazhdojë të jetë pjesë e Real Madridit të paktën deri në vitin 2031, pasi ka arritur marrëveshje për rinovimin e kontratës me klubin madrilen.
Sipas gazetës spanjolle AS, marrëveshja është arritur pas negociatave që kishin nisur në shtator dhe përfshin edhe rritje të pagës për mesfushorin turk, i cili po fiton gjithnjë e më shumë rëndësi në skuadrën e drejtuar nga José Mourinho.
Güler e mbylli sezonin 2025/26 me shifra mbresëlënëse, duke regjistruar 51 paraqitje në të gjitha garat, gjashtë gola dhe 14 asistime.
Me këto shifra, ai ishte ndër lojtarët më produktivë të Real Madridit në krijimin e rasteve për bashkëlojtarët. Këtë sezon, deri më 22 tetor, ai ka regjistruar edhe dy gola dhe katër asistime në dhjetë paraqitje në të gjitha garat.
Nën drejtimin e Mourinhos, 21-vjeçari po shihet si një futbollist që mund të luajë rol të rëndësishëm në ndërtimin e lojës së madrilenëve.
Trajneri portugez vlerëson veçanërisht vizionin, teknikën dhe aftësinë e turkut për të organizuar lojën.
“E pëlqej Ardan. Mendoj se mund të ndjekë një rrugë të ngjashme me Lukën dhe Bernardon, duke nisur si numër 10, si lojtar ofensiv, e më pas duke luajtur më thellë”, ka deklaruar Mourinho, sipas Yahoo Sports, duke iu referuar zhvillimit të tij taktik.
Rinovimi deri më 2031 është një dëshmi e besimit që Real Madridi ka te mesfushori turk.
Klubi madrilen synon ta mbajë Gülerin si një nga lojtarët e rëndësishëm për të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa Mourinho pritet të vazhdojë punën për ta zhvilluar edhe më tej potencialin e tij.