Një problem kritik i sigurisë në gjuhën e programimit PHP ka detyruar institucione publike dhe biznese në disa vende të botës të mbyllin përkohësisht faqet e tyre të internetit, si masë parandaluese ndaj sulmeve të mundshme kibernetike.
Dy dobësitë e identifikuara janë vlerësuar me 9.2 pikë nga 10 në shkallën CVSS 4.0, e cila përdoret për të përcaktuar nivelin e rrezikut që paraqesin cenueshmëritë në softuerë.
Ky vlerësim e vendos incidentin në kategorinë kritike, nivelin më të lartë të rrezikut në këtë sistem klasifikimi. Pikët llogariten duke marrë parasysh disa faktorë, përfshirë lehtësinë me të cilën mund të shfrytëzohet një dobësi dhe dëmin e mundshëm që mund të shkaktojë.
CVSS 4.0 është shkurtesë për Sistemin e Përbashkët të Vlerësimit të Cenueshmërive, një standard që përdoret për të komunikuar dhe krahasuar seriozitetin e problemeve të sigurisë në sistemet informatike.
Ai mirëmbahet nga organizata jofitimprurëse amerikane Forum of Incident Response and Security Teams (FIRST), shkruan skynews.
Shkalla e vlerësimit shkon nga 0.1 deri në 10 pikë dhe ndahet në katër kategori: rrezik i ulët, nga 0.1 deri në 3.9 pikë; rrezik mesatar, nga 4.0 deri në 6.9 pikë; rrezik i lartë, nga 7.0 deri në 8.9 pikë; dhe rrezik kritik, nga 9.0 deri në 10 pikë.
Dobësia në PHP prek një teknologji të përdorur gjerësisht për ndërtimin dhe funksionimin e faqeve të internetit. Për shkak të përhapjes së saj, problemi mund të ketë pasoja për një numër të madh institucionesh dhe biznesesh që mbështeten në këtë teknologji.
Si masë parandaluese, disa vende kanë ndërprerë përkohësisht shërbimet online, në pritje të instalimit të përditësimeve të nevojshme të sigurisë.
Megjithatë, vlerësimi kritik tregon seriozitetin e dobësive dhe rrezikun që ato paraqesin, por nuk nënkupton domosdoshmërisht se sistemet e prekura janë sulmuar ose se të dhënat e përdoruesve janë komprometuar.
Disa institucione mbyllin faqet e tyre
Dobësia prek një teknologji që përdoret gjerësisht për ndërtimin dhe funksionimin e faqeve të internetit.
Sipas kompanisë së sigurisë kibernetike Cloudflare, rreth 70% e faqeve të internetit përdorin PHP, i cili mbështet edhe platforma të njohura si WordPress dhe Magento.
Ndër vendet që kanë marrë masa parandaluese janë Franca, Danimarka, Finlanda, Holanda dhe Çekia.
Në Mbretërinë e Bashkuar, disa institucione, përfshirë Zyrën për Përgjegjësinë Buxhetore dhe këshillat vendorë të Oxfordshire dhe Hillingdon, kanë njoftuar mbylljen e përkohshme të faqeve të tyre.
Disa prej tyre janë rikthyer tashmë në funksion.
Zhvilluesit e PHP-së kanë publikuar përditësime për të korrigjuar dy dobësi kritike dhe u kanë bërë thirrje përdoruesve që t’i instalojnë sa më shpejt.
Ekspertët e sigurisë kibernetike paralajmërojnë se faqet që nuk përditësojnë sistemet e tyre mund të jenë të ekspozuara ndaj sulmeve.
Për ato që nuk mund të instalojnë menjëherë përditësimet e sigurisë, rekomandohet shqyrtimi i mundësisë së mbylljes së përkohshme.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Cloudflare, Matthew Prince, që nga zbulimi i problemit janë regjistruar miliona përpjekje për të shfrytëzuar këtë dobësi.
Edhe Amazon Web Services ka paralajmëruar se ajo po shfrytëzohet gjerësisht nga sulmuesit.
Në zbulimin e dobësisë është përdorur edhe Al.
OpenAI bëri të ditur se, gjatë dy muajve të fundit, ka punuar me një grup studiuesish për identifikimin dhe korrigjimin e problemit, duke mbështetur zhvilluesit në përgatitjen e zgjidhjeve.
Ministri britanik Douglas Alexander deklaroi se qeveria ishte në dijeni të dobësisë përpara se ajo të bëhej publike.
Ai sqaroi se problemi nuk lidhej vetëm me sistemet qeveritare, por me një teknologji bazë që përdoret në një pjesë të madhe të internetit.
Ndërkohë, Koreja e Jugut ka rritur nivelin e gatishmërisë për sigurinë kibernetike në sektorin privat dhe ka thirrur një mbledhje urgjente për të trajtuar situatën.
Edhe Kina u ka kërkuar organizatave të forcojnë monitorimin e sistemeve, të ndryshojnë fjalëkalimet dhe të instalojnë versionet më të sigurta të softuerit.
Ekspertët theksojnë se rreziku më i madh lidhet me faqet e internetit të vjetra, të cilat nuk janë përditësuar.
Sipas tyre, megjithëse përdoruesit e zakonshëm nuk kanë arsye të alarmohen vetëm për shkak të këtij problemi, institucionet dhe bizneset që administrojnë faqe interneti duhet të marrin masa të menjëhershme për të mbrojtur sistemet e tyre.