Durim Elshani, këshilltar në kabinetin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, ka reaguar lidhur me raportimet për vdekjen e një pacienteje, duke publikuar kronologjinë e trajtimit të saj në Klinikën e Onkologjisë.

Elshani ka thënë përmes një postimi në Facebook se raportimet e shumta dhe, sipas tij, të pasakta, kanë bërë të nevojshme sqarimin e opinionit publik përmes dokumentacionit mjekësor zyrtar.

Ai u ka bërë thirrje mediave që të respektojnë dhimbjen e familjes dhe të mos ndërlidhin shkakun e vdekjes së pacientes me mosmarrjen e terapisë pa u mbështetur në dokumente.

Reklamë

Sipas kronologjisë së publikuar nga Elshani, pacientja ishte diagnostikuar me kancer të gjirit të tipit Triple Negative para gjashtë vjetësh, ndërsa trajtimet fillestare me kimioterapi dhe radioterapi i kishte përfunduar me sukses.

Në dhjetor të vitit 2025, pas rikthimit të sëmundjes me metastaza në kocka dhe omentum, rasti i saj ishte shqyrtuar nga Konsiliumi i Klinikës së Onkologjisë, i cili kishte përcaktuar trajtimin me medikamentet Palbociclib dhe Fulvestrant.

Elshani ka bërë të ditur se pacientja ishte furnizuar me Palbociclib më 13 maj 2026, në sasi të mjaftueshme për trajtim deri më 13 qershor. Sipas tij, trajtimi i kombinuar kishte vazhduar edhe gjatë muajve qershor, korrik dhe gusht.

Megjithatë, ekzaminimet e kryera gjatë kësaj periudhe kishin treguar përparim të sëmundjes dhe shfaqjen e metastazave të reja në tru dhe në boshtin kurrizor.

Këshilltari i ministrit të Shëndetësisë ka theksuar se këto gjetje, sipas dokumentacionit mjekësor, kundërshtojnë pretendimet se përparimi i sëmundjes kishte ndodhur si pasojë e mosmarrjes së terapisë.

Reklamë

Në fazën e fundit, pasi ishte konstatuar rezistenca e tumorit ndaj trajtimit të mëparshëm, Konsiliumi mjekësor kishte vendosur ndryshimin e terapisë, duke nisur trajtimin me Capecitabine dhe radioterapinë paliative në tru.

Fatkeqësisht, pacientja ndërroi jetë.

Në reagimin e tij, Elshani ka theksuar se të gjitha vendimet dhe etapat e trajtimit janë të dokumentuara në raportet zyrtare mjekësore.

Ai ka bërë të ditur se identiteti i pacientes nuk do të bëhet publik, për shkak të konfidencialitetit dhe mbrojtjes së të dhënave personale, ndërsa dosja e plotë mjekësore, sipas tij, është në dispozicion të palëve të autorizuara dhe organeve kompetente për verifikim.

Reklamë

Mungesa e medikamentit Palbociclib për rreth katër muaj dyshohet se është pasuar me përkeqësim të gjendjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila nuk kishte mundësi ta blinte vetë barin që kushton deri në 1 mijë e 800 euro. Organizata Renesansa ka njoftuar se pacientes i ishin shfaqur metastaza të reja në tru dhe se ajo ka vdekur ditën e djeshme.

Lidhur me rastin ka reaguar edhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili e quajti “të pasaktë dhe tendencioz” lajmin për vdekjen nga kanceri të një gruaje e cila për rreth 4 muaj kishte mbetur pa Palbociclib, një bar që mungonte në Klinikën e Onkologjisë në QKUK.

Për vdekjen e pacientes në Onkologji, pati reagime edhe nga Drejtori i këtij reparti, duke mohuar pretendimet se pacientët kanë mbetur katër muaj pa këtë terapi për shkak të mungesës së barit në klinikë, duke theksuar se përparimi i kancerit metastatik mund të ndodhë edhe gjatë trajtimit të rregullt.

Reklamë