Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 5 mijë euro Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore lidhur me mbeturinat vëllimore dhe deponitë e dheut, shkruan Reporteri.net.

Është ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, e cila ka njoftuar se Komuna që udhëheqit nga Përparim Rama, është gjobitur, pasi  në deponinë e dheut të N.P.L. “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth janë konstatuar mbeturina vëllimore jashtë zonës së deponisë.

“5 mijë euro gjobë për Komunën e Prishtinës! Inspektorati i Mjedisit ka gjobitur me 5 mijë euro Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Prishtinës për moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive ligjore lidhur me mbeturinat vëllimore dhe deponitë e dheut. Në deponinë e dheut të N.P.L. “Gjelbër” dhe në hapësirat përreth janë konstatuar mbeturina vëllimore jashtë zonës së deponisë”.

Reklamë

“Pavarësisht njoftimeve të përsëritura, Drejtoria e Inspekcionit nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme. Institucionet duhet të jenë shembull me veprimet e tyre në mbrojtjen e mjedisit dhe asesi të mos neglizhojnë përgjegjësitë dhe masat që duhet të ndërmarrin për parandalimin e ndotjes dhe menaxhimin e duhur të mbeturinave. Ligji vlen për të gjithë njësoj!”, ka shkruar ministrja Pacolli.

Nuk ka vonuar edhe reagimi nga Drejtori i Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, Bekim Brestovci, duke e cilësuar dënimin si të kundërligjshëm.

Brestovci i është drejtuar ministres Pacolli, duke kërkuar nga ajo që, krahas publikimit të gjobës, të japë llogari për përgjegjësitë e Ministrisë në menaxhimin e mbeturinave.

Ai ka ngritur çështjen e mungesës së hapësirave të autorizuara për pranimin dhe trajtimin e mbeturinave vëllimore, si dhe të kapaciteteve për deponimin dhe riciklimin e mbeturinave ndërtimore.

Reklamë

Brestovci ka kërkuar që Ministria të bëjë publike vendndodhjet e mundshme për deponimin e këtyre mbeturinave dhe kushtet e pranimit të tyre, duke kërkuar sqarime edhe për masat e ndërmarra për krijimin e infrastrukturës së nevojshme.

Një tjetër çështje që ai ka ngritur lidhet me orarin e funksionimit të deponive që i shërbejnë Prishtinës. Sipas tij, këto deponi e ndërpresin pranimin e mbeturinave në mesnatë, ndërkohë që aktiviteti i bizneseve dhe nevoja për shërbime të pastrimit vazhdojnë edhe gjatë natës.

Drejtori i Inspekcionit ka thënë se Kryeqyteti po përpiqet ta zvogëlojë shpërndarjen e mbeturinave vëllimore përmes organizimit të pikave të përkohshme të grumbullimit.

Megjithatë, ai i ka kërkuar ministres që, nëse e kundërshton këtë mënyrë të organizimit, të tregojë se cila është zgjidhja konkrete për qytetarët dhe bizneset që duhet t’i largojnë këto mbeturina.

Reklamë

“Askush nuk kërkon përjashtim nga ligji. Por edhe Ministria duhet të japë llogari për përgjegjësitë e veta. Publikimi i një gjobe nuk e zëvendëson infrastrukturën që mungon dhe as bashkëpunimin institucional që nevojitet”, ka shkruar Brestovci.

Në fund, ai ka theksuar se qytetarët kanë nevojë për zgjidhje konkrete dhe jo vetëm për publikimin e gjobave ndaj institucioneve komunale.

“Qytetarëve u duhet zgjidhje, Ministre. Një postim triumfal për gjobën ndaj Kryeqytetit nuk ua zgjidh problemin”, ka përfunduar Brestovci.

Reklamë