Qeveria e Kosovës ka miratuar, në mbledhjen e tetë, Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale.

Marrëveshja synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet autoriteteve të të dyja vendeve për sigurimin e provave, zhvillimin e procedurave penale dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se marrëveshja forcon bazën ligjore të bashkëpunimit mes dy shteteve në çështjet penale.

Reklamë

“Kjo Marrëveshje forcon kuadrin ligjor të bashkëpunimit mes dy shteteve tona në çështjet penale, dhe rregullon procedurat për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dhe krijimin e grupeve të përbashkëta hetimore, me qëllim të rritjes së efikasitetit në luftimin e krimit transnacional”, ka deklaruar Gërvalla.

Përmes kësaj marrëveshjeje parashihet vendosja e rregullave të përbashkëta për shkëmbimin e provave, kryerjen e veprimeve hetimore dhe procedurale, si dhe trajtimin e kërkesave për ndihmë juridike.

Gjithashtu, marrëveshja përcakton përgjegjësitë e autoriteteve të të dyja shteteve dhe kushtet për zbatimin e procedurave ligjore, me synimin e rritjes së efikasitetit në bashkëpunimin kundër kriminalitetit ndërkufitar.

Tituj alternativë