Irani ka krijuar një rrjet sekret agjencish ushtarake me shtrirje globale, përmes të cilit ka importuar të paktën 2 miliardë dollarë pajisje, eksplozivë dhe kamionë të rëndë që nga janari i vitit 2025, duke shmangur si bllokadën detare amerikane, ashtu edhe sanksionet perëndimore. Në këtë përfundim ka arritur një investigim i agjencisë së lajmeve Reuters,.
Të fshehura pas emërtimeve që nisin me shkronjat MOD, që i referohen Ministrisë së Mbrojtjes, janë më shumë se 5 mijë agjenci, të cilat përbëjnë një makineri të fuqishme financiare dhe ushtarake.

Gjurmët e aktivitetit të tyre financiar janë evidentuar në dokumentet e transportit detar dhe në të dhëna të tjera të dërgesave, që datojnë që nga viti 2016. Disa prej tyre kanë lidhje me Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe me konglomerate biznesi të njohura si bonyads, të cilat kontrollohen nga elita iraniane.

Gjetjet e këtij investigimi hedhin dritë mbi një nga misteret më të mëdha të luftës: Si po arrin IRGC-ja të plotësojë sërish arsenalet e saj me raketa dhe dronë, ndërkohë që ka lëshuar mijëra të tillë?

Reklamë

Të gjitha këto agjenci sekrete kanë të njëjtën adresë në Teheran si Ministria e Mbrojtjes dhe Logjistikës së Forcave të Armatosura të Iranit (MODAFL). Në dokumentet zyrtare, ato figurojnë të regjistruara më 11 shkurt 1979, datë që përkon me ardhjen në pushtet të Ajatollah Ruhollah Khomeinit në Iran, pas përmbysjes së monarkisë. Megjithatë, dokumentet tregojnë se shumica e tyre janë krijuar në të vërtetë në vitin 2013, në një kohë kur Irani po përballej me vështirësi të mëdha për shkak të sanksioneve, të cilat kishin shkaktuar rënie të ndjeshme të eksporteve të naftës bruto dhe të vlerës së monedhës kombëtare.

Këto agjenci, të identifikuara për herë të parë nga Reuters në bashkëpunim me kompaninë izraelito-amerikane të konsulencës për analizën e rrezikut, 240 Analytics, përbëjnë shtyllën kryesore të sistemit iranian të prokurimit ushtarak dhe shmangies së sanksioneve.

Ato operojnë përmes një rrjeti personash që shërbejnë si përfaqësues dhe kompanish guaskë të regjistruara jashtë vendit, të njohura kolektivisht si administrues të besuar (trustees). Këta persona dhe kompani përdorin të ardhurat nga shitjet e paligjshme të naftës për të blerë mallra në interes të Republikës Islamike të Iranit.

Zyrtarë të lartë ushtarakë të përfshirë në programet e Iranit për raketat balistike dhe dronët përdorin këtë rrjet. Numrat e telefonit të regjistruar në emër të 91 prej këtyre agjencive figurojnë gjithashtu në të dhënat e Bankës shtetërore Sepah, në llogaritë e personelit të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).

Mes tyre janë të paktën dy komandantë, të cilët SHBA-ja i ka akuzuar për abuzime ndaj protestuesve civilë.

Reklamë

Edhe pse ushtria iraniane është përballur me disa dekada sanksionesh amerikane, nuk ka asnjë provë që ndonjë prej agjencive të identifikuara me numra në dokumentet e shqyrtuara të jetë shpallur subjekt sanksionesh nga qeveritë perëndimore.

“Ajo që kemi këtu është linja jetike e furnizimit të regjimit për ushtrinë gjatë këtij konflikti, por edhe për shumë vite përpara tij”, tha Miad Maleki, ish-zyrtar i lartë në Departamentin e Thesarit të SHBA-së, i cili ka ndihmuar në hartimin e programit amerikan të sanksioneve kundër Iranit.

“Ky është i gjithë ekosistemi i veprimtarisë tregtare të ushtrisë iraniane.”