Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist po mban për të tretën ditë radhazi protestë lidhur me vrasjen e 49-vjeçares Arlinda Zekaj në Vitomiricë të Pejës.

Protesta po zhvillohet para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në kohën kur ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritet të mbajnë konferencë për media lidhur me këtë rast.

Protestueset janë afruar pranë hyrjes së ndërtesës së Qeverisë, nga ku po brohorasin “Dilni jashtë!”, duke kërkuar përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlindës.

Reklamë

Për dy ditë radhazi, protestueset kanë kërkuar dorëheqjen e Gërvallës dhe Sveçlës, duke kundërshtuar mënyrën se si institucionet e trajtuan rastin para vrasjes së Zekajt.

Ndërkaq, në protestën e djeshme, kërkesat e tyre janë zgjeruar edhe në drejtim të ndjekjes penale dhe burgosjes së zyrtarëve që, sipas tyre, kanë përgjegjësi në këtë rast.