Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura për rrezikun ndaj jetës së Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës.
Në një konferencë për media, Gërvalla ka prezantuar disa nga gjetjet e raportit të hartuar nga Zyra Koordinatore Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Baza Gjinore, i cili, sipas saj, analizon veprimet dhe mosveprimet institucionale nga raportimi i parë i Zekajt më 10 korrik e deri në vrasjen e saj.
Ministrja ka thënë se raporti i është dorëzuar kryeministrit Albin Kurti më 29 tetor, pas kërkesës së tij që Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme të paraqisnin brenda 72 orëve një raport të detajuar për rastin, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Megjithatë, Gërvalla ka theksuar se raporti është vetëm pjesërisht i plotë, pasi, sipas saj, zyra koordinatore nuk ka marrë përgjigje të detajuara nga të gjitha institucionet përgjegjëse, ndërsa nga disa prej tyre nuk ka marrë fare përgjigje. Ajo ka bërë të ditur se për disa çështje ende pritet dokumentacion shtesë dhe sqarime.
Sipas ministres, dokumentacioni i shqyrtuar deri më tani evidenton vonesa dhe mosveprime serioze institucionale.
“Arlinda Zekaj nuk u vra pa paralajmërim. Institucionet përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura dhe serioze për rrezikun ndaj jetës së saj”, ka deklaruar Gërvalla.
Raporti nis nga denoncimi i parë në korrik
Sipas përshkrimit të Gërvallës, më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar në Policinë e Kosovës dhunë fizike dhe psikologjike nga bashkëshorti i saj i parë.
Ministrja ka thënë se, sipas dokumentacionit që ka pasur në dispozicion zyra koordinatore, Zekaj kishte raportuar kërcënimet, kishte dorëzuar prova për veprimet e dhunshme dhe kishte informuar policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje.
Një tjetër shqetësim i vazhdueshëm, sipas Gërvallës, kishte qenë pamundësia e saj për t’u kthyer në shtëpinë e përbashkët dhe për të pasur kontakt të rregullt me djalin e saj 12-vjeçar.
Ajo ka deklaruar se, ndonëse ishte bashkëpronare e shtëpisë, Zekaj kishte raportuar se bashkëshorti dhe familjarë të tij, të cilët qëndronin në pronë kundër vullnetit të saj, e pengonin të hynte në shtëpi.
Gërvalla: Gjykata e Pejës e tejkaloi afatin ligjor për urdhrin mbrojtës
Një pjesë e konsiderueshme e deklarimit të ministres iu kushtua trajtimit të kërkesës për urdhër mbrojtjeje nga Gjykata Themelore në Pejë.
Sipas Gërvallës, më 7 shtator Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjente nga kjo gjykatë. Po atë ditë, ajo i kishte shkruar gjykatës duke shprehur frikën për jetën e saj dhe të fëmijës.
Ministrja ka thënë se gjykata e kishte miratuar pjesërisht kërkesën më 7 shtator, ndërsa më 9 shtator Zekaj e kishte kundërshtuar vendimin, pasi ai nuk përfshinte edhe kujdesin për djalin e saj.
Sipas interpretimit të Gërvallës, në bazë të nenit 48 të Ligjit nr. 08/L-185, gjykata kishte shtatë ditë kohë për të vendosur lidhur me kundërshtimin, që do të thoshte se procedura duhej të përfundonte deri më 16 shtator.
Megjithatë, sipas saj, seanca ishte caktuar për 24 shtator, ishte shtyrë dhe kishte vazhduar më 5 tetor, kur kishte zgjatur vetëm 15 minuta. Ajo ishte shtyrë sërish, ndër të tjera për shkak të mungesës së raportit të Qendrës për Punë Sociale, ndërsa ishte mbajtur më 13 tetor.
Gërvalla ka deklaruar se aktvendimi për urdhër mbrojtjeje ishte nxjerrë vetëm më 16 tetor, më shumë se një muaj pas fillimit të procedurës.
Ajo ka përmendur edhe komunikimin e Zekajt me kryetarin e Gjykatës Themelore në Pejë, Shemsedin Haxhiaj.
Sipas ministres, më 17 shtator, një ditë pas përfundimit të afatit që ajo e konsideron ligjor, Zekaj i ishte drejtuar kryetarit të gjykatës duke e paralajmëruar për vonesat dhe rrezikun ndaj jetës së saj.
Gërvalla ka thënë se përgjigjen nga kryetari i gjykatës ajo e kishte marrë më 20 tetor dhe se në të ishte konstatuar se gjyqtari kishte vepruar brenda afateve ligjore. Ministrja ka kundërshtuar këtë vlerësim, duke thënë se dokumentacioni i shqyrtuar dhe ligji, sipas saj, tregojnë të kundërtën.
Ajo ka bërë të ditur se më 20 tetor Zekaj i kishte shkruar sërish kryetarit të gjykatës, duke shprehur zhgënjimin dhe duke paralajmëruar se do të vritej si pasojë e neglizhencës institucionale.
“Pesë ditë më vonë, ajo tragjikisht u vra”, ka deklaruar Gërvalla.
Ministrja ka përmendur gjithashtu se, sipas raportit, vendimet gjyqësore për kthimin e Zekajt në shtëpinë e saj nuk ishin zbatuar. Më 20 dhe 21 tetor, Qendra për Punë Sociale kishte njoftuar gjyqtarin Migjen Kastrati për moszbatimin e urdhrit mbrojtës.
Sipas Gërvallës, në dokumentacionin që kishte shqyrtuar zyra koordinatore nuk rezultonte që gjyqtari të kishte ndërmarrë veprime të mëtejshme për adresimin e kësaj situate.
Gërvalla ka paraqitur edhe gjetjet që, sipas saj, raporti i evidenton lidhur me Prokurorinë Themelore në Pejë.
Ajo ka deklaruar se prokurorët përgjegjës dhe ish-kryeprokurorja Lumturije Vuçetaj ishin informuar vazhdimisht për zhvillimet e rastit.
Sipas ministres, një nga momentet më shqetësuese ishte data 23 tetor, vetëm dy ditë para vrasjes së Zekajt, kur edhe kryeprokurorja ishte informuar me shkrim se viktima kishte raportuar një kërcënim të drejtpërdrejtë me vrasje nga Albert Sylaj.
Gërvalla ka thënë se, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, prokurorja përgjegjëse kishte refuzuar të hapte rast për kanosje dhe kishte kërkuar nga personat e dyshuar që të siguronin pamjet e kamerave të sigurisë.
Ajo ka shtuar se raporti nuk përmban dokumentacion që dëshmon nëse këto pamje janë dorëzuar dhe çfarë veprimesh të tjera janë ndërmarrë.
“Dy ditë më vonë, Albert Sylaj dyshohet se vrau Arlinda Zekajn me sëpatë”, ka deklaruar ministrja.
Sipas saj, raporti evidenton edhe faktin se kërkesa e Zekajt për t’u kthyer në shtëpinë e saj nuk ishte adresuar në mënyrën e duhur. Gërvalla ka thënë se në disa raste asaj i ishte rekomanduar që çështjen e pronës ta zgjidhte përmes kontestit civil, ndërsa në raste të tjera ishte këshilluar të largohej nga shtëpia për arsye sigurie.
Ministrja ka bërë të ditur se dy prokurorë të përfshirë në trajtimin e rastit janë suspenduar nga detyra. Ajo ka theksuar se suspendimi nuk nënkupton konstatim përfundimtar të përgjegjësisë, por mundëson zhvillimin e procedurave përkatëse.
Gërvalla flet edhe për përgjegjësinë e Qendrës për Punë Sociale
Në konferencë, ministrja ka folur edhe për rolin e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, duke thënë se raporti evidenton mangësi në trajtimin e rastit.
Sipas saj, nga korriku deri në tetor kjo qendër kishte pasur komunikim të vazhdueshëm me Arlinda Zekajn, por nuk e kishte konsideruar si detyrim të saj krijimin e kushteve për kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët.
Gërvalla ka deklaruar se qendra nuk e kishte dorëzuar në kohë raportin e kërkuar nga gjykata dhe se përfaqësuesi i saj kishte munguar në seancën e 5 tetorit, duke kontribuar në shtyrjen e mëtejshme të procedurës.
Ajo ka përmendur edhe deklarimin e përfaqësuesit të Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave, i cili, sipas saj, kishte thënë se kishte kërkuar çdo ditë raportin nga zyrtari përgjegjës Durim Kelmendi, por pa rezultat.
Ministrja ka folur edhe për çështjen e djalit të mitur të Zekajt, duke thënë se vlerësimi i psikologes klinike përmban të dhëna që, sipas saj, kundërshtojnë paraqitjen publike se fëmija nuk dëshironte të qëndronte me nënën e tij.
Ajo nuk ka dhënë hollësi të tjera për këtë çështje, duke iu referuar mbrojtjes së privatësisë dhe interesit më të mirë të fëmijës.
Kërkohen sqarime edhe nga Komuna e Pejës
Gërvalla ka ngritur çështjen e përgjegjësisë së Komunës së Pejës për mbikëqyrjen e Qendrës për Punë Sociale.
Ajo ka thënë se, deri në përfundimin e raportit, nga komuna ishte marrë vetëm një përgjigje prej shtatë rreshtash, ku konfirmohej se rasti ishte diskutuar në mekanizmin koordinues komunal.
Sipas ministres, nuk ishin marrë informacione për masa konkrete lidhur me mangësitë e evidentuara apo për planet e komunës për ditët në vijim.
Për këtë arsye, Gërvalla ka thënë se presin sqarime edhe nga kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Gërvalla: Vrasja me shumë gjasë mund të ishte parandaluar
Në pjesën e fundit të deklarimit, ministrja ka folur për përgjegjësinë institucionale dhe nevojën që të shqyrtohen të gjitha rrethanat që çuan deri te vrasja e Zekajt.
Ajo ka treguar se një ditë pas vrasjes, më 26 tetor, në Ministrinë e Drejtësisë ishte mbajtur një takim i jashtëzakonshëm me institucionet përgjegjëse, ku, sipas saj, ishte vërejtur një tendencë për të relativizuar mosveprimet institucionale dhe për ta bërë viktimën pjesërisht bashkëpërgjegjëse për atë që kishte ndodhur.
“Nuk është detyra jonë të gjejmë arsyetime për institucionet. Është detyra jonë të kërkojmë përgjigje për veprimet dhe mosveprimet e tyre”, ka deklaruar ajo.
Duke iu referuar dokumentacionit të shqyrtuar, Gërvalla ka thënë se krijohet bindja se vrasja e Arlinda Zekajt me shumë gjasë mund të ishte parandaluar.
Ajo ka ngritur gjithashtu çështjen nëse mosveprimet institucionale mund të shpjegohen vetëm me neglizhencë apo nëse duhet të shqyrtohen edhe ndikime të mundshme të jashtme, përfshirë ato politike apo kriminale.
Megjithatë, ministrja ka pranuar se raporti nuk përmban prova të drejtpërdrejta për ndikime të tilla, por ka thënë se përsëritja e mosveprimeve e bën të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie.
“Sepse nuk mjafton të konstatojmë se institucionet kanë dështuar; duhet të zbardhim edhe pse kanë dështuar”, ka thënë Gërvalla.
Në përfundim, ajo ka theksuar se dhuna ndaj grave dhe femicidi janë probleme që prekin edhe shtete të tjera, por se kjo nuk mund të përdoret si arsyetim për dështimet institucionale në Kosovë./Reporteri.net/