Donika Gërvalla ka deklaruar se do të jepte dorëheqje nëse një gjë e tillë do të ndihmonte në identifikimin dhe adresimin më të shpejtë të përgjegjësive për vrasjen e Arlinda Zekajt, por ka thënë se nuk beson se ky është momenti i duhur për një hap të tillë.
E pyetur nëse dorëheqja e saj do të ishte mekanizëm që do të kontribuonte në zbardhjen më të shpejtë dhe më të thellë të përgjegjësive për veprimet dhe mosveprimet institucionale, ministrja e Drejtësisë tha se, nëse do ta konsideronte të tillë, do të jepte dorëheqje.
“Unë do të kisha dhënë dorëheqje. Unë mendoj që pikërisht e kundërta është”, u shpreh Gërvalla shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Ajo tha se momentalisht prioritet duhet të jetë identifikimi dhe adresimi i përgjegjësive, duke kërkuar që rasti të mos politizohet.
“Na lejoni të bëjmë punën tonë, na lejoni që të kujdesemi që të vihen në pah, të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë dhe atëherë e diskutojmë përsëri çështjen e dorëheqjeve. Nuk kam asgjë kundër. Nëse konsiderohet që dorëheqja ime kontribuon për një adresim më të mirë dhe për një perspektivë më pa rreziqe për gratë tona, atëherë unë jam personi i fundit që refuzoj dorëheqjen. Por mendoj që nuk është momenti tash”, tha ajo.
Gërvalla theksoi se Ministria e Drejtësisë ka përgjegjësi për hartimin e politikave, por nuk ka kompetencë të drejtpërdrejtë kushtetuese për të kërkuar zbatimin e tyre nga prokuroritë dhe gjykatat.
Ndërkaq, duke folur për gjetjet e Inspektoratit Policor, ajo tha se janë evidentuar mangësi në vlerësimin e rrezikshmërisë së rastit të Arlinda Zekajt.