Deputetja e LDK-së, Janina Ymeri, përmes një postimi në rrjetet sociale ka reaguar lidhur me protestën e sotme kundër kryeministrit Albin Kurti, ku morën pjesë vetëm disa qytetarë.
Ajo thotë se protestat nuk janë kuti votimi ku numërohen votat apo njerëzit.
“Protesta e sotme është e para që bëhet për shkakun kryesor të problemeve të këtij vendi: ekonominë, jo vetëm të dobët, por plotësisht të dështuar”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj i plotë:
Protestat nuk janë kuti votimi ku numërohen votat apo njerëzit. Protesta e sotme është e para që bëhet për shkakun kryesor të problemeve të këtij vendi: ekonominë, jo vetëm të dobët, por plotësisht të dështuar.
Kjo do të thotë që qytetarët nuk i besojnë më propagandës së kësaj qeverie, e cila i dirigjon edhe artistët se çfarë arti të krijojnë, dhe nuk i pranojnë më fjalët e Kryeministrit për investime, kur ai nuk respekton as bujkun e vet.
Pa gjykuar dhe vlerësuar organizatorët e protestës, jam pro protestave paqësore dhe jam e sigurt që do ta arrijnë efektin e tyre final atëherë kur ky vend të jetë përfundimisht gati për ta larguar këtë diktat në ngritje.
Nëse ajo ditë do të jetë sot, nesër për ndonjë të vdekur tjetër nga papërgjegjësia e Qeverisë, apo një ditë tjetër për shkak të rritjes së çmimit të rrymës, kjo varet nga vullneti ynë për liri dhe për një jetë me meritë.
Se dita e largimit të këtij pushteti do të vijë, për këtë nuk ka bindje më të fortë te të gjithë ata që e duan Kosovën më të zhvilluar e në gjendje më të mirë.