Granit Xhaka nuk e ka fshehur zhgënjimin pas një tjetër humbjeje të Sunderlandit në Ligën Premier, këtë herë 3-1 në udhëtim ndaj Coventry Cityt, duke pranuar se nuk e di se çfarë duhet të ndryshojë për ta nxjerrë skuadrën nga kriza.

Kapiteni shqiptar ishte tejet i frustruar pas ndeshjes, e cila e la Sunderlandin në fund të tabelës, me vetëm pesë pikë të grumbulluara pas nëntë xhirove.

Xhaka tregoi se skuadra ishte përgatitur mirë gjatë javës dhe kishte udhëtuar me optimizëm, por dështoi të zbatonte në fushë atë që ishte diskutuar në dhomat e zhveshjes.

Reklamë

“Është e vështirë, një ndjenjë krejtësisht ndryshe. Është e vështirë për t’u pranuar. Erdhëm këtu me shumë shpresë dhe u përgatitëm shumë mirë gjatë javës, por nëse nuk i bëni gjërat për të cilat përgatitemi dhe për të cilat flasim në dhomat e zhveshjes, nuk ka asnjë mundësi për të fituar ndonjë ndeshje”, deklaroi Xhaka.

Mesfushori shqiptar theksoi se fitorja ndaj Brentfordit në Carabao Cup gjatë javës nuk mjafton për të mbuluar problemet që skuadra po shfaq në kampionat.

“Po, por kjo nuk mjafton. Jo në këtë ligë. Nuk është e mundur që një ditë të jesh mirë dhe ditën tjetër keq. Është e vështirë të vazhdohet kështu, sepse duhet të ndryshojmë diçka. Nuk e di çfarë të ndryshoj”, u shpreh ai.

Xhaka kritikoi edhe gabimet elementare të bashkëlojtarëve, duke përmendur pasimet e pasakta dhe duelet e humbura.

“Ka shumë gabime nga ana jonë, pasime të thjeshta, duele të thjeshta që nuk po i fitojmë. Nëse nuk i ke fillimisht gjërat elementare, harroji të tjerat. Ndjenja është e tmerrshme në këtë moment”, shtoi kapiteni i Sunderlandit.

Reklamë

Në vazhdim, skuadrën e Regis Le Bris e presin dy sfida të rëndësishme në shtëpi, fillimisht ndaj Dinamo Zagrebit në Ligën e Evropës dhe më pas kundër Chelseat në kampionat.

Në fund, Xhaka u bëri thirrje tifozëve që të mos e braktisin skuadrën në këtë periudhë të vështirë, duke theksuar se vetëm me bashkim dhe besim mund të dalin nga kriza.

“Jam i bindur dhe besoj shumë se mund të rikthehemi, por duhet t’i ndalim gabimet që po i bëjmë në këtë moment”, përfundoi ai.