Lojtarja e re e golfit Aeyavarin “Aeya” Pradubyart ka humbur jetën pasi u godit nga rrufeja gjatë një turneu për të rinj në Chachoengsao të Tajlandës.
15-vjeçarja tajlandeze ndërroi jetë sot në spital, një ditë pasi u godit nga rrufeja në një fushë golfi në rrugën Ongkharak–Bang Nam Priao, në zonën Don Ko Ka, distrikti Bang Nam Priao.
Një grua 31-vjeçe, e cila shërbente si ndihmëse në lojë, u plagos gjithashtu nga e njëjta rrufe dhe është vendosur nën mbikëqyrje mjekësore.
Ekipet e shpëtimit e gjetën Aeya pa ndjenja dhe pa shenja jete. Ata kryen reanimacion në vendngjarje dhe arritën të rikthejnë rrahjet e zemrës së saj, përpara se ta dërgonin në Spitalin Bang Nam Priao. Më pas, ajo u transferua në Spitalin Buddhasothorn për trajtim të mëtejshëm.
Familja e saj pretendon se organizatorët e turneut lejuan vazhdimin e lojës pavarësisht goditjeve të mëparshme nga rrufeja, dhe se mungesa e një ambulance në vendngjarje vonoi transportimin e saj në spital.
Nëna e saj, Natcha, 49-vjeçe, tregoi se rreth orës 15:00 me kohë lokale dëgjoi një goditje rrufeje pranë një rreshti pemësh në të majtë të fushës, e ndjekur nga disa goditje të tjera. Ajo pretendon se lojtarët e rinj të golfit vazhduan lojën sepse zyrtarët nuk u dhanë urdhër të ndalonin.
Sipas Natcha, zyrtarët e pezulluan garën dhe organizuan automjete për të marrë lojtarët vetëm pasi ndodhi një tjetër goditje e fuqishme në të djathtë të fushës dhe filloi një shi më i dendur.