Marcus Thuram ka thënë se Interi ka nevojë për një ndryshim mentaliteti pas humbjes në derbin e së shtunës, duke mbështetur deklaratat e Nicolò Barellas dhe Alessandro Bastonit.

Në deklaratat e publikuara nga “Corriere dello Sport”, reprezentuesi francez foli së bashku me trajnerin Cristian Chivu para ndeshjes së së martës në Ligën e Kampionëve kundër Feyenoordit. Takimi do të nisë në orën 21:00 në Rotterdam.

Pas humbjes 3-1 nga Milani të shtunën, që ishte disfata e parë e Interit në kampionat këtë sezon dhe derbi i tetë radhazi pa fitore, Barella dhe Bastoni deklaruan se mentaliteti i skuadrës duhet të ndryshojë.

Reklamë

“Jam plotësisht dakord me atë që thanë. Ata janë dy liderë dhe fjalët e tyre ishin të rëndësishme”, shpjegoi Thuram.

Thuram dëshiron që Interi ta rikthejë shpirtin luftarak që tregoi në pjesën e dytë të fitores në Ligën e Kampionëve kundër Shakhtar Donetskut, kur arriti ta fitonte ndeshjen në fund, pavarësisht se ishte me dhjetë futbollistë në fushë.

“Qëndrimi që patëm në atë ndeshje, sidomos kur mbetëm me dhjetë lojtarë, duhet të jetë i njëjti që duhet ta tregojmë sërish si në Ligën e Kampionëve, ashtu edhe në kampionat”, tha ai.

29-vjeçari është shndërruar në lojtarin kryesor të Interit në mungesë të Lautaro Martínezit, i cili është i lënduar. Ai ka qenë titullar në çdo ndeshje që nga pushimi i kombëtareve në tetor dhe kishte shënuar në tri ndeshje radhazi të kampionatit para derbit. Të shtunën luajti i vetëm në sulm, pasi Pio Esposito dhe Ange-Yoan Bonny u prekën nga ethet.

“Jam shumë i lumtur me minutat që po i marr. Roli im? Mund të luaj edhe si sulmues i vetëm. Nuk kam asnjë problem me këtë”, tha Thuram.

Reklamë

Interi ka grumbulluar tri pikë në tri ndeshjet e para të kësaj gare, ndërsa Chivu beson se do të nevojiten rreth 16 pikë për të përfunduar në mesin e tetë skuadrave të para.