Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë këtij viti procesi i dialogut me Serbinë ka shënuar progres vetëm në dy çështje, përkatësisht në marrëveshjen për zbatimin e rregullores për të huajt dhe në trajtimin e çështjes së personave të zhdukur gjatë luftës.

Duke folur në konferencën për media pas pranimit të Raportit të sivjetmë të Komisionit Evropian për Kosovën, Kurti ka përmendur marrëveshjen e 14 marsit për të huajt, të arritur me Bashkimin Evropian, të cilën tha se Komisioni Evropian e ka vlerësuar.

Si zhvillim tjetër në këtë proces, ai përmendi mbajtjen e takimit të parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur.

Reklamë

“Progresi i vetëm këtë vit lidhet me marrëveshjen e 14 marsit për të huajt që e kemi arritur me Bashkimin Evropian dhe që Bashkimi Evropian e ka vlerësuar, si dhe takimin e parë të Komisionit të Përbashkët për Personat e Zhdukur”, ka deklaruar Kurti.

Kryeministri i bëri këto komente teksa prezantoi vlerësimet e raportit të Komisionit Evropian për Kosovën, i cili përfshin edhe zhvillimet në procesin e dialogut.